E Diel, 1 Nëntor 2026

Qarkullonte me armë zjarri me vete, në pranga 25-vjeçari në Vlorë, e pëson dhe shoku

Një 25-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Vlorës pasi u kap duke qarkulluar me armë zjarri me vete. Në pranga ra gjithashtu edhe shoku i tij, i cili akuzohet për moskallëzim krimi.

Në pranga ranë F.H., 25 vjeç, banues në Vlorë, si edhe D.A., 25 vjeç, po banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit F.H., në çantën e tij marsup iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri (pistoletë) me një krëhër me 5 fishekë ndërsa gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan 20 fishekë luftarakë, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa si dhe një maskë plastike.

Policia sekuestroi armë zjarri (pistoletë), municion luftarak, lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, maskë plastike, 4 aparate celularë dhe një automjet.

“Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në DVP Vlorë në bashkëpunim edhe me Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të kontrolleve për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri dhe bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë ndaluar për kontroll një automjet tip “Benz”, në rrethrrotullimin e bypass-it, në fshatin Babicë e Madhe.Automjeti drejtohej nga shtetasi F.H., 25 vjeç, banues në Vlorë, ndërsa pasagjer ishte shtetasi D.A., 25 vjeç, banues në Vlorë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, vijojnë hetimet për këta shtetas, si dhe për verifikimin e përfshirjes së tyre të mundshme në ngjarje të tjera kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›