Qëlloi policin në burg pas padrejtësisë ndaj shokut, guximi i Pavllo Popës që ndezi revoltën e Spaçit! Ridënimi pas kryengritjes më 1973
BESIM NDREGJONI
Një telefonatë nga Podgorica në këto ditë nëntori na trishtoi me njoftimin se titani i revoltës së Spaçit, guximtari i patrembur i kampit shfarosës të Spaçit, shqiptaro-malazezi Pavllo Popa kishte ndërruar jetë! Simboli i qëndresës dhe një ndër protagonistët e revoltës antikomuniste të vitit 1973 në mbrojtje të flamurit kombëtar, Pavllo Popa. Ai është dhe do të mbetet në historinë antikomuniste një luftëtar, një simbol i mbrojtjes së lirisë përballë diktaturës staliniste të diktatorit Enver Hoxha. Iku në një kohë që Shqipëria vazhdon akoma të nderojë xhelatët dhe kriminelët që i vranë lirinë Pavllos dhe shokëve të tij antikomunistë.
Kur shkruan për titanë të tillë të lirisë dhe kombit, historia të dërgon tek kampi shfarosës i Spaçit, tek ai kamp që ishte i rrethuar me tela me gjemba dhe ku Pavllo Popa me shqiponjat e lirisë ndodheshin përballë plumbave të komunistëve, dhe nuk e dorëzuan lirinë e tyre. Me të drejtë poeti martir Havzi Nela do ta përshkruante revoltën e Spaçit me vargjet brilante: një revoltë që trondit regjimin, por që i tregoi botës se shqiptarët luftojnë për liri mes plumbave. Kjo revoltë pati si protagonistë trimin dhe guximtarin e patrembur Pavllo Popa, Pal Zefin (i pushkatuar), Dervish Bejkon (i pushkatuar), Skënder Dajën (i pushkatuar) dhe Hajri Pashajn (i pushkatuar)!
Pavllo kishte lindur në Vrakë të Shkodrës, ishte edukuar në një familje me ndjenjën e atdhedashurisë, me besimin në Zot dhe me urtësinë për të luftuar padrejtësinë. Kështu, në moshë fare të re, ai nuk pranonte diktatin dhe padrejtësinë e pushtetit diktatorial, prandaj kaloi kufirin. Por pushteti jugosllav e kthen dhe ia dorëzon pushtetit kriminal komunist të Shqipërisë djalin e ri 17-vjeçar, Pavllo Popën, të cilin gjykatat komuniste e dënojnë me burgime politike.
REVOLTA E SPAÇIT
Historia e revoltës antikomuniste të Spaçit e rendit Pavllo Popën si një trim që pati guximin dhe trimërinë të përballej me xhelatët. Në bazë të rregullores së kampit, i dënuari politik me izolim dënohej me një muaj izolim dhe pas një muaji ai lejohej të bashkohej me të burgosurit e tjerë. Kështu, i dënuari trim Pal Zefi kishte mbaruar dënimin me izolim dhe duhej të lirohej, por xhelati polic nuk e lejonte heroin Pal Zefi. Atëherë ndërhyn Pavllo Popa dhe e godet policin për padrejtësinë që i bëhej shokut të tij. Këtu fillon Revolta antikomuniste me protagonistin trim Pavllo Popa, të cilët e kthyen këtë revoltë në një mision kombëtar për mbrojtjen e flamurit kombëtar shqiptar. Dhe këta trima të patrembur, përballë fuqisë ushtarake të diktaturës, valëvitën në Spaç për tre ditë rresht flamurin kuq e zi pa yllin bolshevik që shteti diktatorial ia kishte vënë flamurit. Një ndër trimat e revoltës antikomuniste ishte dhe Pavllo Popa. Dhe siç thotë poezia e Havzi Nelës për këtë revoltë të pandodhur në botë, në vargjet e tij: “Ra Pal Zefi, ra Skënderi, ra Dervishi e Hajriu djem të shkathtë posi skifteri– Trima të ashpër si veriu”. Kështu, mbrojtësi i heroit Pal Zefi, trimi Pavllo Popa, do të ridënohej dhe do të vuante 25 vite burg politik si antikomunist dhe si mbrojtës i lirisë.
JETA NË LIRI
Pavllo Popa, gjatë jetës së tij në liri, kurrë nuk u mburr për trimëritë e tij si protagonist i asaj revolte. Ai e urrente mburrjen, dhe këtë e tregoi si dëshmitar në dokumentarin televiziv “Spaç 1973 – Martirët e Lirisë”. Ai fliste për shokët, për qëndresën e të burgosurve politikë në Spaç, dhe aspak për trimëritë e veta. Ky ishte trimi shqiptaro-malazez që kishte dy atdhe: Shqipërinë ku lindi dhe kaloi vitet e tmerrit në kampet shfarosëse, dhe Malin e Zi që e kishte atdheun e gjyshërve të tij.
Në delegacionin e të mbijetuarve të diktaturës në Vatikan, ai nuk tregoi vuajtjet, qëndresën e trimëritë e tija, por i foli Papa Françeskut për krimet e komunizmit dhe tradhtinë që i bëri klasa politike postkomuniste të burgosurve politikë në vitet e demokracisë. “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa” – këtë slogan kombëtar e thirrën Pavllo Popa me shokët e tjerë të burgosur politikë në majin e vitit 1973, dhe sot, për të mbajtur pushtetin, e përdorin bijtë e xhelatëve të djeshëm. Shqipëria lëngon nga padrejtësia komuniste, kurse heronjtë e lirisë si Pavllo Popa largohen nga kjo jetë të zhgënjyer që nuk u realizua kauza e tyre që Shqipëria të ishte demokratike dhe si Europa.
Pavllo i dashur, ti e realizove misionin tënd me faqe të bardhë. Me dinjitet, me urtësi dhe mbi të gjitha me një moral të lartë, ku nuk kërkove hakmarrje primitive siç bënë xhelatët dje ndaj teje, por ti kërkove lirinë nëpërmjet drejtësisë. Dhe kështu thënia jote në dokumentarin televiziv për revoltën e Spaçit mbetet: “Asgjë nuk ka ndryshuar në Tiranë, njëlloj si në Moskë”, ne duam Shqipërinë në Europë, se për këtë sakrifikuam jetët tona të pafajshme.
Dhimbja e shokëve tuaj si Zenel Drangu, Nuri Stepa, Demir Pojani, Xhevit Llohja e Unionit të Burgosurve Politikë të Shqipërisë është e madhe sepse do të na mungosh fizikisht, por ti e ke qëndisur historinë antikomuniste me qëndresën tënde si një hero i fjalës së lirë.
Pusho i qetë miku im idealist Pavllo Popa, sakrificën dhe qëndresën tënde po e vë në vend revolta e studentëve shqiptarë, gjenerata Z që kërkojnë dhe do të realizojnë Shqipërinë Europiane. Shqipëria humbi një hero si Ju, por jo kauzën e lirisë për të cilën ti, Titani i Spaçit Pavllo Popa, dhe për demokracinë shqiptare. Dheu i tokës shqiptare ku ti linde dhe dheu i Malit të Zi ku ti prehesh qofshin të lehtë për burra dhe heronj si Ju. Lavdi Pavllo Popës!
/Gazeta Panorama