Qendra Multifunksionale Librazhd, shërbime të integruara për personat me aftësi ndryshe dhe familjet e tyre

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Në Librazhd është hapur Qendra Multifunksionale për personat me aftësi ndryshe (PAK), një hapësirë kujdesi dhe mbështetjeje për këtë kategori të shoqërisë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala së bashku me kryetarin e bashkisë Librazhd, Mariglen Disha inspektuan nga afër këtë qendër, ndërsa u takuan me stafin drejtues, fëmijë me aftësi ndryshe dhe familjarë të tyre.
Sala tha se “ekipi multidisiplinar punon çdo ditë për të ofruar shërbime të integruara për personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre. Përmes Fondit Social, 39 shërbime komunitare dhe të specializuara janë tashmë funksionale në të gjithë vendin, duke fuqizuar përfshirjen sociale, zhvillimin dhe mirëqenien në komunitete”.
“Përmes fondit social, ne po ndërtojmë një sistem të integruar që vë në qendër fëmijët dhe familjen. Objektivi është që fëmijët me aftësi të kufizuara të marrin një shërbim multidisiplinar të integruar, si këtu në qendër, ashtu edhe në familje nëpërmjet shërbimit në shtëpi, në mënyrë që të ndihmojmë prindërit”, tha Sala.
Ndërsa, kryetari i bashkisë Librazhd, u shpreh se “në këtë qendër kryhen shumë shërbime multifunksionale”.
“Kemi rreth 97 persona me aftësi ndryshe dhe për shërbimin në këtë qendër u kemi siguruar edhe makinë, ku i dërgojmë me stafin përkatës në shtëpi, sepse shumë shtëpi janë larg Librazhdit. Bashkëpunimi mes pushtetit lokal dhe MSHMS-së do të na ndihmojë që të përmirësojmë cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve tanë”, tha ai.
Gjatë vitit 2026, Fondi Social do të financojë 14 shërbime të reja, të dedikuara për fëmijët dhe nënat në nevojë, fëmijët dhe të rriturit me aftësi ndryshe, të moshuarit, gratë dhe vajzat viktima të dhunës, si dhe për fëmijët pa kujdes prindëror. Nga këto, 12 shërbime të reja do të ofrohen në bashkitë Durrës, Përrenjas, Kurbin, Skrapar, Himarë, Kavajë, Vorë, Korçë, Mat, Patos, Cërrik dhe Kamëz, ndërsa dy shërbime të reja Emergjence dhe Linje Këshillimi për fëmijë do të ngrihen në nivel qarku.
/e.i/r.e/