Avokati i Popullit dhe Bashkia Tiranë mundësojnë strehimin e një familjeje në nevojë

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Avokati i Popullit njoftoi sot se pas ndjekjes së një rasti në vështirësi strehimi për një familje në nevojë në kryeqytet, rasti ka marrë zgjidhje.
Sipas njoftimit, Bashkia Tiranë iu përgjigj pozitivisht familjes L. në Tiranë, që tashmë është përfshirë zyrtarisht në programin e strehimit social “Banesë sociale me qira”.
Avokati i Popullit u shpreh se “pas çdo shkrese dhe procedure në zyrat tona, fshihen histori njerëzore që kërkojnë dritë dhe dinjitet. Sot duam të ndajmë me ju njërën prej tyre”.
“Një familje në Tiranë po përballej me pasigurinë për të pasur një çati mbi kokë, luftonte çdo ditë me varfërinë e me sfidat e përditshme të kujdesit për një anëtar të familjes me aftësi të kufizuara. Jetesa vetëm me ndihmë ekonomike e bënte të pamundur gjetjen e një shtëpie”, thuhet në njoftim.
“Në këtë pikë të vështirë, ata trokitën në dyert e Avokatit të Popullit për të kërkuar strehim. Ne e morëm këtë rast si një mision emergjent human. Nisëm menjëherë komunikimin me Bashkinë Tiranë, duke kërkuar me këmbëngulje një zgjidhje të shpejtë për situatën e tyre të rëndë sociale dhe strehimore”, vijon njoftimi.
Në njoftimin e Avokatit të Popullit thuhet se “ky sukses na kujton se kur institucionet bashkëpunojnë me ndjeshmëri dhe përgjegjësi, jeta e qytetarëve tanë më vulnerabël mund të ndryshojë për mirë. Avokati i Popullit do të jetë gjithmonë këtu, zëri dhe mbështetja për çdo familje që ka nevojë për mbrojtje dhe drejtësi sociale”.
/e.i/r.e/