Qeveria miraton vendimin për identifikimin e pronës shtetërore në Konispol me interes për projekte investimi

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për autorizimin e Korporatës së Investimeve për koordinimin e procesit të identifikimit të pronës shtetërore me interes për të realizuar projekte investimi në fshatin Vrinë, bashkia Konispol.
Në mbështetje të ligjit “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave vendosi që Korporata e Investimeve Shqiptare, me qëllim identifikimin e pronës shtetërore me interes për të realizuar projekte investimi në fshatin Vrinë, Bashkia Konispol ngarkohet të ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet procedurale për konsolidimin e pronës shtetërore në këtë zonë/njësi territoriale.
Në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës Korpotara e Investimeve Shqiptare do të kryejë koordinimin dhe bashkërendimin me institucionet shtetërore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të përfshira në çështjet e pronësisë apo administrimit të këtyre pronave për dhënien dhe shkëmbimin e informacionit apo të dokumentacionit të kërkuar në lidhje me të drejtat e pronësisë, që është i nevojshëm për një pasqyrim të gjendjes së pronësisë, caktimin më të saktë të kufijve të zonës dhe përfundimin me prioritet të procesit të regjistrimit të pronës në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
Gjithashtu do të kryhet negociimi me subjektet private, të përfshira në marrëdhënien juridike të pronësisë për këto prona në lidhje me sqarimin dhe qartësimin e statusit të pjesës përkatëse të pronës shtetërore në këtë zonë; do të të hartojë dhe të sigurojë, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, një masterplan të zhvillimit të zonës, në të cilën ndodhet prona shtetërore.
Shpenzimet për realizimin e këtij masterplani mbulohen nga buxheti i Korporatës së Investimeve Shqiptare.
Shpenzimet për realizimin e këtij projektzhvillimi mbulohen nga buxheti i Korporatës së Investimeve Shqiptare.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Korporata e Investimeve Shqiptare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
/k.s/