Qeveria njofton vakancën, shkresa e shkarkimit të Veliajt i dërgohet KQZ-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është njoftuar zyrtarisht nga qeveria për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut dhe situatën e krijuar në bashkinë e Tiranës.
Shkresa mban datën 25 shtator, dita kur Këshilli i Ministrave vendosi shkarkimin e veliajt.
“Në mbledhjen e këshillit të ministrave, datë 25.09.2025, ju bëjmë me dije se është miratuar vendimi nr. 539, datë 25.9.2025, i Këshillit të Ministrave, “për shkarkimin nga detyra të kryetarit të bashkisë Tiranë erion veliaj”, thuhet në shkresë.
KQZ ka detyrë të organizojë zgjedhjet e parakohshme në 6 bashki të vendit, duke përfshirë edhe Tiranën.

Ditën e sotme, Erion Veliaj kundërshtoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e shkarkimit të tij si kryebashkiaku i Tiranës nga Këshilli i Ministrave.
Në ankimimin e dërguar në Kushtetuese, kryebashkiaku i shkarkuar i referohet nenit 62, i cili thekson se mungesa e tij në detyrë prej më shumë se tri muajsh nuk është për shkaqe që varen prej vullnetit të tij.
“Neni 62 i ligjit për vetëqeverisjen vendore, i interpretuar në pajtim me nenin 115 të Kushtetutës në bazë dhe për zbatim të së cilit ka dalë, e konkretizon këtë standard, përfshirë edhe rastin e mungesës 3-mujore, pa shkaqe objektive. Në rastin tonë, mungesa rrjedh nga një pamundësi objektive (paraburgimi), pra nuk bie në hipotezën e nenit 62, gërma “c”. Duke e trajtuar këtë mungesë objektive, si “shkak shkarkimi”, Këshilli i Ministrave ka aplikuar një kriter të ri, që s’gjendet në asnjë dispozitë juridike.”
Sipas Veliajt, Këshilli i Ministrave nuk ka respektuar ligjin, i cili sqaron dhe rastet e shkarkimit.
Ky hap i Veliajt tashmë bllokon automatikisht zgjedhjet e parakohshme për kryeqytetin deri në vendimin e Gjykatës./vizionplus.tv