E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Veliaj refuzoi pazarin me Ramën”, Berisha: Përzgjedhja e Ogertës nga Rama për ta djegur përfundimisht

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha reagoi lidhur me vendimin e Erion Veliajt për të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese shkarkimin nga Këshilli i Ministrave.

Në një deklaratë nga selia blu, kryedemokrati pretendoi se Rama tentoi të bënte një marrëveshje me Kryebashkiakun e shkarkuar për të mos ankimuar vendimin, por dështoi.

“Edi Rama, pasi i futi Gjushin në qeli, pasi bëri çdo lloj përpjekje për të bërë pazar me Erion Veliajn, që të pranojë shkarkimin dhe të mos i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, duket se dështoi në këtë përpjekje. Duket se Erion Veliaj nuk e pranoi marrëveshjen, gjersa ai u ka kërkuar avoketërve të tij të depozitojnë ankesën në Gjykatën Kushtetuese”, tha Berisha.

Sipas Berishës edhe kandidatura e Ogerta Manastirliut është një plan i kreut të qeverisë.

“Ju ftoj zotëri të rikujtosh vetëm një moment, tronditjen e tmerrshme të Ogertës kur mësoi se emërohet kandidate për kryetare bashkie. Merre shihe pak atë pamje.Merre shihe.Nuk ka pamje që flet vetë më shumë se ajo. Ajo e kuptoi se Edi Rama lau duart me të”, tha Berisha.

Sipas Berishës, pavarësisht se beteja do të vijojë në Kushtetuese, Presidenti Begaj do të firmosë dekretin për datën e zgjedhjeve të pjesshme lokale në Tiranë.

“Pavarësisht nga kjo, sot është ditë e hënë, prisni nga ora 1 kukulla e Edi Ramës në presidencë do firmosë, mos pastë lënë edhe ai autopenin aty, për datën e zgjedhjeve”, tha kreu i PD.

Gjatë konferencës për mediat, kryeopozitari theksoi se po diskutohen disa emra nga të djathtët për të garuar kundër Manastirliut në Tiranë./vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›