Qeveria norvegjeze dënon ashpër shpërthimin në Ambasadën Amerikane dhe rrit masat e sigurisë

Një shpërthim i ndodhur gjatë orëve të mbrëmjes në mjediset e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Norvegji ka vënë në lëvizje autoritetet e larta të vendit, duke shkaktuar reagime të forta institucionale dhe rritje të menjëhershme të nivelit të sigurisë në kryeqytet.
Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Støre, e dënoi ashpër incidentin, duke e cilësuar atë si një cënim të rëndë.
“Shpërthimi që ndodhi mbrëmë në Ambasadën Amerikane është një ngjarje shumë serioze dhe plotësisht e papranueshme,” u shpreh Støre në një deklaratë për transmetuesin publik kombëtar, NRK.
Për të shmangur panikun mes qytetarëve, kreu i qeverisë sqaroi se nuk ka asnjë rrezik të drejtpërdrejtë për publikun e gjerë. Megjithatë, si masë parandaluese dhe reagim i menjëhershëm i shtetit norvegjez, masat e sigurisë janë forcuar ndjeshëm. Nën mbrojtje të shtuar policore nuk është vendosur vetëm perimetri i ambasadës amerikane, por edhe përfaqësia diplomatike e Izraelit, si dhe institucionet e ndryshme të lidhura me komunitetin hebre në vend.
Ngjarja ka vënë në lëvizje të gjithë aparatin e sigurisë dhe diplomacisë norvegjeze. Ministri i Jashtëm, Espen Barth Eide, theksoi se mbrojtja e trupit diplomatik mbetet një prioritet absolut për Oslon zyrtare.
“Ky është një akt i papranueshëm që ne e marrim me seriozitetin më të madh,” deklaroi Eide për mediat ndërkombëtare. “Siguria e misioneve diplomatike është thelbësore për ne. Aktualisht, ngjarja po hetohet me intensitet të lartë nga policia dhe Shërbimi i Sigurisë.”
Për të koordinuar përgjigjen institucionale, kryediplomati norvegjez konfirmoi se është në komunikim të vazhdueshëm me Ministren e Drejtësisë, Astri Aas-Hansen, si dhe po mban kontakte të ngushta me të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës Amerikane në Norvegji, Eric Meyer.
Autoritetet ligjzbatuese po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij shpërthimi, i cili ngre pikëpyetje mbi sigurinë e misioneve perëndimore dhe izraelite në një klimë të tensionuar globale.
/rtsh.al/