Qeveria zgjeron Programin e Praktikave të Punës për të rinjtë, rritet numri i vendeve vakante për praktikantë në administratë

Këshilli i Ministrave ka miratuar së fundmi një ndryshim të rëndësishëm në Programin Kombëtar të Praktikave të Punës, duke rritur kuotat e pranimit për këtë vit.
Me propozim të Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, vendimi i ri sjell një zgjerim të menjëhershëm të numrit të praktikantëve që do të kenë mundësi të fitojnë eksperiencë në institucionet shtetërore.
Ndryshimi prek drejtpërdrejt nenin 6 të vendimit bazë të qershorit 2025. Sipas tabelës së re të miratuar numri total i praktikantëve rritet nga 250 që ishte parashikuar, në 450 persona.
Si ndahen kuotat e reja?
Zgjerimi është bërë në dy kategori kryesore të përfituesve. Në kategorinë kryesore, numri i vendeve është rritur me 150 vende shtesë, duke shkuar nga 200 në 350 praktikantë.
Ndërsa në kategorinë e dytë është dyfishuar numri për këtë grup (që zakonisht përfshin kategori specifike ose ekselence), duke shkuar nga 50 në 100 praktikantë.
Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria përgjegjëse për Rininë, Ministria e Financave, Agjencia Kombëtare e Rinisë (AKR) dhe Departamenti i Administratës Publike (DAP).
Ky vendim pritet t’u japë mundësi 200 të rinjve më shumë se planifikimi fillestar për t’u bërë pjesë e administratës publike.
/rtsh.al/