E Diel, 1 Nëntor 2026

Qytetarët akuza UKT: Nuk kemi ujë në çezmë, e blejmë në market

Qytetarë të shumtë po denoncojnë në redaksinë tonë rritjen drastike të faturave të ujit pas vendosjes së ujëmatësve të rinj nga UKT. Sipas ankesave, faturat kanë arritur deri në 80-90 mijë lekë të vjetra për familje, ndërkohë që në shumë zona banorët thonë se uji mungon me orë të tëra ose nuk është i pijshëm.

Ndërsa drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve, Flauers Shoshi, flet për teknologji moderne dhe sisteme për zbulimin e “vjedhjes së ujit”, qytetarët thonë se realiteti është krejt tjetër: “Nuk kemi ujë në çezmë për të pirë, detyrohemi ta blejmë në market”.

Banorët denoncojnë se krahas faturave të fryra, po paguajnë edhe kosto të larta për ujëmatësit e rinj, ndërsa mungon transparenca për tenderët, kompanitë përfituese dhe çmimet reale të pajisjeve. Për shumë familje, fatura e ujit tashmë po rezulton më e rëndë se ajo e energjisë elektrike.

Pyetja që shtrojnë qytetarët është e drejtpërdrejtë: Si ka mundësi që kërkohen pagesa rekord për ujë, kur në shumë banesa mungon shërbimi bazë dhe uji i pijshëm blihet me bidona? Ndërsa flitet për “Shqipërinë 2030” dhe projekte moderne, realiteti për mijëra familje mbetet i njëjtë: ende pa ujë të pijshëm në çezma dhe me fatura çdo muaj e më të kripura.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›