E Diel, 1 Nëntor 2026

BOGOTA – Petro: Trump po shqyrton mundësinë e një operacioni ushtarak kundër Kolumbisë

BOGOTA, 9 janar /ATSH-DPA/- Presidenti kolumbian, Gustavo Petro tha se kishte frikë nga një veprim i mundshëm ushtarak amerikan kundër vendit të tij – pas një bisede telefonike me presidentin e SHBA-se, Donald Trump, mes tensioneve midis Bogotës dhe Uashingtonit.

Në një intervistë per gazetën “El País”, Petro tha se presidenti i SHBA-së Donald Trump i kishte thënë gjatë një bisede telefonike se po mendonte të ndërmerrte operacione të këqija në Kolumbi.

Udhëheqësi i krahut të majtë tha se mesazhi i sugjeronte se përgatitjet për një veprim ushtarak ishin tashmë në proces, megjithëse nuk e dinte se çfarë veprimi specifik mund të ishte planifikuar.

“Treguesi ishte se ata tashmë po përgatiten për diçka, një operacion ushtarak”, tha Petro.

Petro tha se ngjarjet në Venezuelë e kishin bërë të shqetësohej se ai vetë do të prekej personalisht.

Kur u pyet nëse kishte frikë se mos vuante një fat të ngjashëm me atë të udhëheqësit venezuelian Nicolás Maduro, i cili u arrestua nga ushtarët amerikanë dhe u dërgua në SHBA, Petro u përgjigj: “Pa dyshim”.

Megjithatë, pas një bisede telefonike njëorëshe të mërkurën me Trump, situata është qetësuar për momentin.

Gjatë bisedës, Petro tha se ishte në gjendje të shpjegonte qëndrimet e tij, veçanërisht në luftën kundër drogës. Pas telefonatës, Trump njoftoi një takim në Shtëpinë e Bardhë, pa specifikuar një datë.

Trump e ka paralajmëruar më herët Kolumbinë – pas veprimeve ushtarake në Venezuelë.

Duke folur me gazetarët menjëherë pas operacionit kundër Maduros, Trump e përshkroi Kolumbinë si “shumë të sëmurë” dhe tha se drejtohej nga një “njeri i sëmurë që i pëlqen të prodhojë kokainë dhe ta shesë atë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kolumbia, një fqinj i Venezuelës, konsiderohet një qendër e madhe prodhimi për kokainën. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›