E Diel, 1 Nëntor 2026

IRAN – Mbi 50 protestues të vrarë në mbarë vendin

TEHERAN, 9 janar /ATSH-DPA/- Sipas aktivistëve, 51 demonstrues janë vrarë në gati dy javë protesta mbarëkombëtare në Iran.

“Qindra njerëz të tjerë raportohet se janë plagosur në përleshjet me forcat e sigurisë”, sipas organizatës “Iran Human Rights” (IHRNGO), me qendër në Oslo.

Organizata po heton gjithashtu raportet për dhjetëra demonstrues të vrarë në qytetet kryesore të Teheranit, Mashhadit dhe Hamadanit, të cilat ende nuk janë përfshirë në shifrat aktuale.

“Rreziku i një përshkallëzimi të dhunës dhe vrasjeve masive të demonstruesve pas mbylljes së internetit është shumë serioz”, paralajmëroi drejtori i organizatës, Mahmood Amiry-Moghaddam.

Dje në mbrëmje, Irani përjetoi demonstratat më të mëdha që nga fillimi i valës aktuale të protestave.

Këto protesta shpërthyen në fund të vitit të kaluar, të shkaktuara nga një tronditje në kursin e këmbimit valutor.

Në përgjigje të protestave dje në mbrëmje, autoritetet pezulluan aksesin në internet.

Burime të pakonfirmuara kane raportuar shumë njerëz të vrarë pasi forcat e sigurisë hapën zjarr ndaj demonstruesve. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›