REPUBLIKA ÇEKE – Pavel miraton emërimin e Babis si kryeministër

PRAGË, 5 dhjetor /ATSH-DPA/- Dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare, Presidenti çek Petr Pavel ka rënë dakord të emërojë fituesin e zgjedhjeve, populistin e krahut të djathtë dhe miliarderin Andrej Babis si kryeministër, duke i hapur rrugën një qeverie të re pas disa javësh hezitimi.
Pavel tha dje në mbrëmje në një deklaratë në X se emërimi do të bëhej të martën.
Presidenti Pavel ka këmbëngulur që Babis të sqaronte, së pari, publikisht planin e tij për zgjidhjen e një konflikti të mundshëm interesi – si politikan dhe pronar i një perandorie të madhe biznesi – me më shumë se 250 kompani që përfitojnë nga subvencionet e BE-së.
Në një video në media sociale, Babis tha se do ta transferonte pronësinë e “Agrofert” në një fond besimi që do të menaxhohej nga një administrator i pavarur.
“Kam vendosur ta dorëzoj kompaninë “Agrofert” në mënyrë të pakthyeshme dhe të mos kem më të bëj me të”, tha 71-vjeçari, duke shtuar se asetet do t’u kalonin fëmijëve të tij vetëm pas vdekjes së tij.
Gjatë mandatit të tij të parë midis viteve 2017 dhe 2021, Babis ia kishte besuar kompanitë e tij një fondi besimi, një veprim që ai më vonë e tërhoqi.
Kritikët vunë në dyshim besueshmërinë e këtij veprimi. Kryeministri në largim Petr Fiala tha se shpresonte që Babis , të paktën këtë herë të mbante atë që i premtonte publikut.
Babis ka nënshkruar tashmë një marrëveshje koalicioni me dy parti të krahut të djathtë, Partinë e Motoristëve dhe Partinë anti-NATO dhe kritike ndaj BE-së, Liri dhe Demokraci e Drejtpërdrejtë (SPD), e kryetarit të ri të parlamentit, Tomio Okamura.
Së bashku, të tre partitë kontrollojnë 108 nga 200 vendet në Dhomën e Deputetëve, më e fuqishmja nga dy dhomat e legjislaturës. //a.i/