E Martë, 3 Nëntor 2026

RIAD – Ministri i Jashtëm gjerman takon homologun e tij saudit

RIAD, 14 qershor /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul vazhdoi vizitën e tij në Lindjen e Mesme, pavarësisht konfliktit të ashpër midis Izraelit dhe Iranit, duke mbërritur sot në kryeqytetin saudit, Riad.

Wadephul, i cili mori detyrën muajin e kaluar nën qeverinë e koalicionit të kancelarit Friedrich Merz, u takua me homologun e tij saudit, Faisal bin Farhan, në Riad.

Stabiliteti në Lindjen e Mesme pas sulmeve izraelite në territorin iranian dhe sulmeve hakmarrëse të Teheranit ka të ngjarë të dominojnë bisedimet, së bashku me luftën në Gaza.

Shtetet e Gjirit, Arabia Saudite dhe Omani, i kanë dënuar ashpër sulmet e Izraelit – ndërsa Riadi i ka quajtur ato një shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar.

Omani tha se ato përfaqësonin një përshkallëzim të rrezikshëm dhe të pamatur.

Fillimisht, Wadephul kishte planifikuar të udhëtonte nga Egjipti në Liban dhe të mbërrinte sot në kryeqytetin sirian, Damask.

Ministri pritet të vizitojë Jordaninë dhe Izraelin nesër.

Megjithatë, ndërsa zhvillimet në Lindjen e Mesme u bënë të paparashikueshme, ministri anuloi vizitat e tij në Bejrut, Damask, Aman dhe Jerusalem.

Në vend të kësaj, Wadephul ka planifikuar të udhëtojë sot pasdite në Katar – për një takim me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm ,Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.

Katari konsiderohet si një ndërmjetës i rëndësishëm midis Izraelit dhe milicisë islamike Hamas, në luftën e Gazës. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›