E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA – Trump dënon atentatin vdekjeprurës kundër politikanes demokrate dhe bashkëshortit të saj

UASHINGTON, 14 qershor /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka dënuar sot sulmin fatal ndaj politikanes demokrate Melissa Hortman dhe bashkëshortit të saj në Minesota.

“Jam informuar për të shtënat e tmerrshme që ndodhën në Minesota, të cilat duket se janë një sulm i synuar kundër ligjvënësve të shtetit”, shkroi Trump në X.

“Byroja Federale e Hetimeve (FBI) dhe Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi janë ngarkuar me kryerjen e hetimit”, sipas deklaratës së Shtëpisë së Bardhë.

“Një dhunë kaq e tmerrshme nuk do të tolerohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Trump.

Presidenti amerikan iu referua të shtënave me armë zjarri ndaj politikanes demokrate Melissa Hortman dhe bashkëshortit të saj, të cilët u vranë në një sulm – dukshëm i motivuar politikisht.

“Incidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit në shtëpinë e çiftit në qytetin Brooklyn Park”, thanë autoritetet.

Në një sulm tjetër në Champlin aty pranë, një ligjvënës tjetër demokrat nga shteti, John Hoffman, dhe bashkëshortja e tij u plagosën rëndë. Të dy po marrin trajtim mjekësor.

Autori i dyshuar thuhet se është në arrati dhe kërkimet në shkallë të gjerë janë duke u zhvilluar.

I dyshuari thuhet se e ka identifikuar veten si oficer policie. Gjatë një konfrontimi me policinë, ai hapi zjarr dhe arriti të arratisej.

Autoritetet në Brooklyn Park thanë se gjetën shkrime – që përmendnin emrat e disa ligjvënësve – në makinën e rreme të policisë – të përdorur nga personi që qëlloi për vdekje ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Minesotës, Melissa Hortman, dhe plagosi senatorin e shtetit John Hoffman.

Zyrtarët e sigurisë kanë vendosur mbrojtje shtesë për ata që ishin në listë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›