E Enjte, 5 Nëntor 2026

RIO DE ZHANEIRO – Brazili dhe Kina nënshkruajnë dhjetëra marrëveshje tregtare për të thelluar lidhjet ekonomike

RIO DE ZHANEIRO, 21 nëntor /ATSH-DPA/- Brazili dhe Kina thelluan partneritetin e tyre ekonomik duke nënshkruar 37 marrëveshje dypalëshe në disa fusha duke përfshirë bujqësinë, tregtinë, infrastrukturën, industrinë dhe shkencën.

Marrëveshjet e tregtisë dhe zhvillimit u finalizuan gjatë një vizite shtetërore të presidentit kinez, Xi Jinping në Brazil.

Presidenti brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva tha se Brazili dhe Kina ndanin një miqësi të fortë, duke shtuar se partneriteti i tyre prej gjysmë shekulli ishte forcuar nga interesat e përbashkëta dhe pikëpamjet e ngjashme pavarësisht distancës gjeografike.

“Kina është partneri më i madh tregtar i Brazilit, me tregtinë dypalëshe që ka arritur një rekord prej 157 miliardë dollarësh në vitin 2023”, sipas Lula.

Ditët e fundit, Xi mori pjesë në samitin e G20 në Rio de Zhaneiro dhe në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në kryeqytetin e Perusë, Lima.

Në samitin e G20, Xi u takua me kancelarin gjerman Olaf Scholz, i cili e paralajmëroi atë për rrezikun e ofrimit të armëve për Rusinë.

Qeveria gjermane beson se Kina po ndihmon aleaten e saj, Rusinë duke prodhuar dronë që mund të përdoren në sulmet ndaj Ukrainës. Kina i ka mohuar këto akuza.

Në Lima, Xi, së bashku me presidenten peruane Dina Boluarte, përuruan portin e parë të kontrolluar nga Kina në Amerikën e Jugut.

Mega-porti i ri i Chancay ndodhet rreth 80 kilometra në veri të Limës në bregun e Paqësorit dhe pritet të krijojë një rrugë të drejtpërdrejtë për në Shangai, duke shkurtuar ndjeshëm udhëtimin.

Investimi i Kinës në infrastrukturë në të gjithë Amerikën Qendrore dhe Jugore ka rritur ndikimin e saj në rajon. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›