E Martë, 3 Nëntor 2026

ROMË – 25 prilli, Dita e Çlirimit të Italisë

ROMË, 25 prill /ATSH-ANSA/- Çdo vit, më 25 prill, Italia feston Ditën e Çlirimit, një përvjetor shumë i rëndësishëm në historinë italiane.

Vendi përkujton çlirimin e Italisë nga nazifashizmi, fundin e pushtimit nazist dhe rënien e fashizmit.

Është një festë kombëtare, një simbol i Rezistencës, i luftës partizane të zhvilluar që nga 8 shtatori 1943 – dita në të cilën italianët mësuan për nënshkrimin e armëpushimit në Cassibile.

Lufta nuk mbaroi më 25 prill 1945. Kjo është një ditë simbolike, pasi në këtë datë filloi tërheqja e gjermanëve dhe e ushtarëve të Republikës së Salò-së nga Milano dhe Torino, pas depërtimit të Vijës Gotike nga Aleatët dhe veprimit të Rezistencës.

“25 prilli i vitit 1945 është një ditë e përcaktuar si “fatale” sepse shëno fundin e nazizmit dhe rifitimin e lirisë në Italia”, tha sot presidenti italian Sergio Mattarella në fjalimin e tij.

“Rezistenca kundër nazizmit kontribuoi në ngritjen e imazhit dhe rikuperimin e prestigjit të vendit tonë. Ishte në emër të kësaj Italie që Alcide De Gasperi mundi të paraqitej me kokën lart në Konferencën e Paqes në Paris. Këtë shpengim, gjakun e derdhur, këtë nder të rigjetur kombëtar e festojmë sot”, shtoi Mattarella.

Me propozimin e kryeministrit Alcide De Gasperi, më 22 prill 1946, mbreti Umberto II nxori një dekret: “Në përkujtim të çlirimit të plotë të territorit italian, 25 prilli 1946 shpallet festë kombëtare”.

Përvjetori u festua edhe në vitet në vijim, por vetëm në vitin 1949 u institucionalizua si festë kombëtare, së bashku me 2 qershorin, Ditën e Republikës.

Që atëherë, çdo vit, nga Veriu në Jug, më 25 prill organizohen demonstrata publike në kujtim të Çlirimit.

Ndër ngjarjet kryesore është homazhi solemn, nga presidenti i Republikës Italiane dhe zyrtarët e lartë të Shtetit, ndaj Ushtarit të Panjohur në Altarin e Atdheut në Romë, me vendosjen e një kurore dafine në kujtim të italianëve të rënë dhe të zhdukur në luftëra. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›