LONDËR – BM: Të gjitha opsionet në tryezën e bisedimeve për mbështetjen ndaj Ukrainës

LONDËR, 25 prill /ATSH-DPA/- Ministri britanik i kabinetit, Steve Reed tha se të gjitha opsionet ishin në tryezën e bisedimeve – kur bëhej fjalë për mbështetjen për Ukrainën në rast të një marrëveshjeje paqeje – por nuk pranoi të thoshte nëse trupat do të dërgoheshin në vendin e shkatërruar nga lufta.
Sekretari i Mjedisit Reed tha se një “aleancë e fortë vendesh” ishte e nevojshme për të siguruar arritjen e një marrëveshje paqeje.
Deklarata e tij vjen pasi kryeministri britanik, Keir Starmer tha se negociatat për t’i dhënë fund luftës ishin në një fazë intensive – ndërsa përsëriti thirrjet që Rusia të ulet në tryezën e bisedimeve dhe të binte dakord për një armëpushim.
Gazeta “Times” raportoi sot se Britania e Madhe ka të ngjarë të braktisë planet për të dërguar trupa në Ukrainë pasi rreziqet konsiderohen shumë të larta.
Bisedimet kanë vazhduar midis kombeve evropiane se çfarë mbështetjeje mund t’i ofrojë Ukrainës “koalicioni i të gatshmëve” – ndërsa Starmer sugjeroi në shkurt se ai ishte “i gatshëm dhe i vullnetshëm” për të dërguar trupa në terren.
Britania e Madhe ka kërkuar të krijojë një koalicion të kombeve aleate që do të ishin të gatshme të mbështesnin një marrëveshje paqeje në Ukrainë – në rast se një e tillë arrihej.
Të enjten, Mbretëria e Bashkuar i shtoi kërkesat e saj Vladimir Putinit për të rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte pas një sulmi të mëtejshëm gjatë natës në Kiev, në të cilin u vranë 12 persona.
Më herët, udhëheqësi amerikan Donald Trump sugjeroi se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po e bënte të vështirë zgjidhjen e luftës me Rusinë për shkak të kundërshtimit të tij ndaj njohjes së aneksimit të Krimesë nga Moska.
Administrata amerikane po i kërkon Kievit të pranojë kontrollin e vazhdueshëm të Rusisë mbi rajonet e pushtuara ukrainase dhe pronësinë e Moskës ndaj gadishullit të Krimesë si pjesë e një zgjidhjeje për paqen.
Duke folur dje për “Daily Telegraph”, Starmer tha se i takonte Ukrainës të vendoste për kushtet.
“Jemi në një fazë intensive të negociatave”, tha ai.
“Në fund të fundit, është Ukraina ajo që duhet të vendosë për këto çështje – nuk u takon njerëzve të tjerë të vendosin në emër të Ukrainës. I takon Ukrainës të vendosë. Dhe Rusia duhet të ulet në tryezën e bisedimeve për një armëpushim pa kushte”, tha Starmer. //a.i/