ROMË – Italia dënon listën ruse të “propagandës” që synon liderët perëndimorë

ROMË, 30 korrik /ATSH-DPA/- Italia kritikoi sot një listë të Ministrisë së Jashtme ruse që akuzon politikanët perëndimorë për retorikë anti-ruse, duke e quajtur atë një marifet “propagandues”.
Lista, e publikuar javën e kaluar në faqen e internetit të ministrisë, përmban ato që ajo i quan shembuj të “gjuhës së urrejtjes” dhe “deklaratave rusofobe” të bëra që nga viti 2014 – viti kur Rusia sfidoi ligjin ndërkombëtar dhe aneksoi Gadishullin e Krimesë të Ukrainës.
Lista përfshin zyrtarë të lartë italianë, si presidenti Sergio Mattarella dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani.
Tajani thirri sot ambasadorin rus për të kundërshtuar zyrtarisht përfshirjen e Mattarella dhe zyrtarëve të tjerë të lartë.
“Roma këmbëngul në respekt të ndërsjellë në marrëdhëniet dypalëshe dhe thekson se dënimi i agresionit të papranueshëm rus kundër Ukrainës nga Italia nuk ishte drejtuar kurrë kundër popullit rus”, tha në një deklaratë Ministria e Jashtme italiane.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni tha se lista e deklaratave nga udhëheqës të vendeve të ndryshme perëndimore, të publikuar nga Ministria e Jashtme ruse, nuk ishte asgjë më shumë se një fushatë tjetër propagandistike.
Sipas Meloni, qëllimi i listës ruse është të largojë vëmendjen nga lufta e Moskës në Ukrainë – një vepër penale, e njohur nga unioni ndërkombëtar dhe e dënuar që nga fillimi.
Tensionet midis Romës dhe Moskës kanë mbetur të larta që kur presidenti rus, Vladimir Putin nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022.
Lista ruse përmbante gjithashtu deklarata që u atribuohen udhëheqësve perëndimorë, përfshirë kancelarin gjerman, Friedrich Merz, presidentin francez, Emmanuel Macron dhe shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas. //a.i/