E Martë, 3 Nëntor 2026

ROMË – Papa Françesku takohet privatisht me mbretin Charles dhe mbretëreshën Camilla në Vatikan

ROMË, 10 prill /ATSH/- Papa Françesku u takua dje privatisht me mbretin Charles III dhe mbretëreshën Camilla në Vatikan – gjatë vizitës shtetërore katërditore të çiftit mbretëror në Itali dhe me rastin e 20-vjetorit të martesës së tyre, njoftoi sot Vatikani.

Ky ishte takimi i parë – që nga kthimi i papa Françeskut në Vatikan – pas pesë javësh në spital – ku ai kurohej për pneumoni të dyfishtë.

Papa Françesku kishte planifikuar të kishte një takim me mbretin Charles, por vizita zyrtare shtetërore në Vatikan u shty për shkak të problemeve shëndetësore të tij.

Vizita e çiftit mbretëror dje pasdite zgjati rreth 20 minuta dhe përfshinte një shkëmbim dhuratash. Një vizitë e ardhshme e monarkut pritet së shpejti në Vatikan.

Sipas Vatikanit, papa Françesku i uroi Charles dhe Camilla një përvjetor të lumtur, dhe mbreti dhe mbretëresha në këmbim i uruan papës shërim të shpejtë.

“Buckingham Palace” tha se çifti mbretëror ishte i kënaqur që papa Françesku ishte mjaft mirë për t’i pritur ata dhe që kishin pasur mundësinë të ndanin personalisht urimet e tyre më të mira.

Në një foto të publikuar sot nga Vatikani, Camilla shihet duke shtrënguar dorën e papës ndërsa Charles i buzëqeshur mban një kuti të kuqe dhuratash. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›