E Diel, 1 Nëntor 2026

ROTERDAM – Një i vdekur dhe disa të plagosur nga shpërthimi në port

ROTERDAM, 13 gusht /ATSH-DPA/ – Një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur nga një shpërthim i ndodhur sot në Portin e Roterdamit, në Holandë, njoftoi policia.

Shpërthimi ndodhi në një kompani në zonën Europoort, një nga pjesët kryesore industriale të portit.

Shkaku i incidentit nuk është përcaktuar ende, ndërsa hetimet në vendngjarje vijojnë.

Policia nuk ka bërë të ditur ende numrin e saktë të personave të plagosur.

Sipas një zëdhënësi të kompanisë së përfshirë, para shpërthimit ishin kryer punime mirëmbajtjeje në disa tubacione në një terminal karburanti.

Ai tha se është e mundur që diçka të ketë shkuar keq gjatë punimeve.

Në një depozitë pranë tubacioneve janë konstatuar edhe shenja djegieje, ndërsa ekipet e emergjencës mbërritën shpejt në vendngjarje.

Për ndërhyrje u aktivizua edhe një helikopter mjekësor.

Autoritetet holandeze po hetojnë rrethanat e shpërthimit për të përcaktuar shkakun dhe përgjegjësit e mundshëm. /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›