RUMANI – Një dron i dalë jashtë kontrollit shpërthen pranë terminalit të naftës në Konstancë

BUKURESHT, 5 qershor /ATSH/ – Një dron shpërtheu sot pranë një terminali nafte në portin e Konstancës në Rumani, pa shkaktuar viktima, ndërsa Ukraina deklaroi se mjeti kishte dalë jashtë kontrollit pasi ishte penguar elektronikisht nga Rusia, sipas Reuters.
Sipas marinës ukrainase, droni humbi kontrollin në Detin e Zi si rezultat i luftës elektronike ruse dhe autoritetet ukrainase njoftuan menjëherë Rumaninë për të shmangur rrezikun për civilët.
Ministri rumun i Mbrojtjes, Radu Miruta, tha se paralajmërimi mundësoi evakuimin në kohë të zonës. Ndërkohë, presidenti i Rumanisë, Nicusor Dan, fajësoi Rusinë për incidentin, duke theksuar se edhe tre dronë të tjerë ukrainas të humbur kishin shpërthyer më herët në det dhe se rreziku tashmë kishte kaluar.
“Futja e këtij droni në hapësirën sovrane rumune është pasojë e drejtpërdrejtë e luftës që Rusia po zhvillon kundër Ukrainës,” deklaroi presidenti rumun.
Ngjarja ndodhi vetëm një javë pasi autoritetet rumune njoftuan se një dron rus u rrëzua mbi një ndërtesë banimi në qytetin juglindor të Galacit, pranë kufirit me Ukrainën, duke plagosur dy persona. Ishte hera e parë gjatë luftës që një dron godiste një zonë të dendur të banuar në një shtet anëtar të NATO-s.
Ambasada ruse në Rumani mohoi çdo përfshirje në incidentin e fundit, duke deklaruar se dronët nuk ishin rusë. /Ad.Ab./