E Martë, 3 Nëntor 2026

RUSI – Arrestohet zëvendësguvernatori i një rajoni rus pranë kufirit me Ukrainën

BRYANSK, 22 korrik /ATSH-DPA/ – Punonjës të Ministrisë së Brendshme të Rusisë dhe Shërbimit të Sigurisë së Brendshme (FSB) kanë arrestuar zëvendësguvernatorin e rajonit kufitar të Bryanskut, Nikolai Simonenko, nën akuzat për mashtrim.

Agjencia shtetërore e lajmeve TASS njoftoi sot se Simonenko dhe bashkëpunëtorët e tij dyshohet se kanë përvetësuar të paktën 818 milionë rubla (rreth 10,4 milionë dollarë amerikanë) gjatë ndërtimit të fortifikimeve përgjatë kufirit me Ukrainën.

Sipas burimeve të sigurisë, kjo ka dobësuar aftësitë mbrojtëse të Rusisë kundrejt Ukrainës.

Simonenko rrezikon deri në 10 vjet burg.

Janë nisur gjithashtu hetime ndaj shefit të departamentit të ndërtimit në kryeqytetin rajonal Bryansk,  Jevgeny Shura.

Raste të ngjashme janë regjistruar dhe me parë edhe në rajonin fqinj të Kurskut, gjithashtu pranë kufirit me Ukrainën në juglindje të Bryanskit.

Në muain prill, ish-guvernatori i Kurskut, Aleksei Smirnov, dhe zëvendësi i tij u arrestuan për mashtrim të dyshuar në lidhje me ndërtimin e fortifikimeve.

Pararendësi i Smirnovit, Roman Starovoi, kishte deklaruar më parë se punimet ishin përfunduar dhe më pas u emërua ministër i transportit.  Në fillim të korrikut, presidenti Vladimir Putin e shkarkoi papritur nga detyra pa dhënë arsye, dhe vetëm disa orë më vonë u njoftua vdekja e Starovoit.

Autoritetet hetimore thanë se bëhej fjalë për vetëvrasje, por rasti ka ngritur shumë pikëpyetje./Ad.Ab.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›