E Diel, 1 Nëntor 2026

RUSI – Kremlini sinjalizon rifillim të dialogut Putin-Trump për përfundimin e luftës

MOSKË, 6 korrik /ATSH/- Kremlini tha sot se presidenti rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij amerikan, Donald Trump ranë dakord gjatë një bisede telefonike në fundjavë, për të zhvilluar sërish diskutime “në të ardhmen e afërt”, raportoi “Reuters”.

Kjo sugjeron se ata mund të komunikojnë këtë javë, gjatë ose pas samitit të NATO-s, në Ankara.

“Trump pritet të takohet të mërkurën me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Turqi, ku do të marrë pjesë në samitin e NATO-s”, tha dje një zyrtar i lartë amerikan.

Qëllimi, sipas zyrtarit, është të bëhet një përpjekje e re, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

I njëjti zyrtar tha se Trump ka gjasa të flasë me Putinin, pas takimit me Zelensky.

I pyetur sot nëse Trump do ta telefononte Putinin pas takimit me Zelensky, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve:

“Po, si presidenti Putin ashtu edhe presidenti Trump kanë rënë dakord, që kontaktet e tyre të vazhdojnë në të ardhmen e afërt”.

Peskov tha se Trump ka mbajtur një qëndrim mjaft të qëndrueshëm për konfliktin në Ukrainë.

“Siç e dini, presidenti Trump ka një qëndrim mjaft të qëndrueshëm dhe të gjitha këto pretendime se, ai ndryshon mendim shumë shpejt, janë të pavërteta,” tha Peskov.

“Ai është i qëndrueshëm dhe i sigurt për atë që po ndodh, por më e rëndësishmja, ai është i hapur të dëgjojë informacionet që i përcillen nga Putini”, shtoi ai. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›