E Hënë, 2 Nëntor 2026

RUSI – Moska konfirmon interesin për negociata paqeje me Kievin

MOSKË, 21 korrik /ATSH-DPA/ – Kremlini ka konfirmuar interesin e tij për një raund të tretë negociatash midis Kievit dhe Moskës, të propozuar nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky për t’i dhënë fund luftës.

”Gjatë takimit të mëparshëm, të dyja palët shkëmbyen qëndrime”, theksoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Sipas agjencive ruse, Peskov tha se ”një shkëmbim pikëpamjesh dhe negociata janë duke u zhvilluar, por deri më tani palët janë plotësisht kundër dhe se ende nevojitet punë e madhe diplomatike”.

Të shtunën, Zelensky propozoi një takim për në fund të kësaj jave.

Sipas Peskov, ende nuk ka një datë përfundimtare.

Ai deklaroi se pala ruse nuk e ka ndryshuar përbërjen e delegacionit.

Në dy raundet e mëparshme të bisedimeve në Stamboll, kryenegociatori rus ishte këshilltari presidencial dhe ish-ministri i Kulturës Vladimir Medinsky.

Në maj, Kievi dhe Moska zhvilluan negociata dypalëshe për herë të parë në tre vjet.

Në këtë takim dhe në një tjetër pasues në Stamboll në qershor, të dyja palët ranë dakord për një shkëmbim të gjerë të të burgosurve dhe kthimin e ushtarëve të rënë.

Megjithatë, hapat drejt përfundimit të luftës kundër Ukrainës, të urdhëruar nga presidenti rus Vladimir Putin në shkurt 2022, nuk u diskutuan./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›