RUSI – Moska kritikon Merz pas deklaratës për lejimin e armëve me rreze të gjatë veprimi për Kievin

MOSKË, 26 maj /ATSH-DPA/- Rusia kritikoi ashpër Gjermaninë pasi kancelari Friedrich Merz sugjeroi që Ukraina tani mund të përdorë armë me rreze më të gjatë veprimi në mbrojtjen e saj kundër Moskës.
“Këto janë vendime mjaft të rrezikshme, nëse janë marrë”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Ai iu referua një deklarate të mëparshme të Merz – i cili tha se nuk duhej të kishte më kufizime në rrezet e veprimit për armët e furnizuara në Ukrainë, as nga britanikët, as nga francezët, as nga gjermanët dhe as nga amerikanët.
Nuk është e qartë nëse deklarata e Merz përfaqëson një ndryshim, apo nëse ai po i referohej përdorimit të disa raketave perëndimore kundër territorit rus – që nga fundi i vitit të kaluar.
SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës raketa ATACMS, të cilat kanë një rreze veprimi deri në 300 kilometra, ndërsa Britania e Madhe dhe Franca kanë furnizuar raketat “Shadow Storm/Scalp”.
Berlini po shqyrton planin për t’i ofruar Ukrainës raketa “Taurus” – të cilat kanë një rreze veprimi prej 500 kilometrash.
Moska e ka paralajmëruar Berlinin kundër furnizimit të armëve të tilla, duke thënë se kjo do ta bënte Gjermaninë një palë të drejtpërdrejtë në luftë.
Merz nuk i përmendi në mënyrë të qartë raketat “Taurus”, por tha se Ukraina tani mund të mbrohej duke sulmuar pozicionet ushtarake në Rusi.
“Deri vonë, nuk ka qenë në gjendje ta bëjë këtë. Tani mundet”,tha ai, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Peskov tha se furnizimi i Ukrainës me armë me rreze të gjatë veprimi ishte në kundërshtim me përpjekjet e Moskës për të gjetur një zgjidhje politike. //a.i/