E Hënë, 2 Nëntor 2026

RUSI – Moska shpall të padëshirueshme organizatën “Reporterë pa Kufij”

MOSKË, 14 gusht /ATSH-DPA/ – Ministria ruse e Drejtësisë e shpalli organizatën “Reporterë pa Kufij” (RSF) si një organizatë “të padëshirueshme”, një klasifikim që në fakt përbën një ndalim në Rusi.

Ministria e publikoi klasifikimin në faqen e saj të internetit.

Organizatave dhe individëve rusë u ndalohet të mbajnë marrëdhënie me grupe të etiketuara si të padëshirueshme.

Deri më sot, Rusia ka shpallur më shumë se 250 organizata të huaja si të padëshirueshme, shumica e të cilave nga vendet e BE-së, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina.

E themeluar në vitin 1985, “Reporterë pa Kufij” mbron lirinë e shtypit në të gjithë botën dhe mbështet gazetarët e ndaluar. Selia e organizatës në Paris nuk ka komentuar ende për këtë përcaktim.

RSF gjithashtu publikon një indeks vjetor të lirisë së shtypit, i cili e rendit Rusinë në vendin e 171-të nga 180 vende për vitin 2025, duke ruajtur pozicionin e saj midis kombeve me më pak liri shtypi./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›