Zjarret, MM: Shmanget rreziku për banesat në Velçan të Beratit, dy helikopterë për neutralizimin e plotë të vatrës

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se pas angazhimit që në mesditë, me ndërhyrje nga toka dhe nga ajri, është arritur të shmanget rreziku nga zjarret për banesat në fshatin Velçan të bashkisë Berat.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata po monitorohet nga pranë nga AKMC, teksa efektivët e Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore do të vazhdojnë të operojnë deri në neutralizimin e plotë të vatrës.
Gjatë 24 orëve të fundit në gjithë vendin janë raportuar 57 vatra zjarri, nga të cilat 29 janë aktive, teksa aktualisht po punohet me intensitet në disa vatra.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 65 automjete zjarrfikëse dhe 1143 forca operacionale, të ndihmuar nga FA me 409 forca ushtarake, 23 automjete zjarrfikëse dhe 3 helikopterë të FA-së. Gjithashtu morën pjesë 7 helikopterë dhe 1 avion “Canadair” nga Italia.
/m.m/r.e//a.f/