E Diel, 1 Nëntor 2026

Ra në det gjatë lundrimit, shpëton 35-vjeçari, policia merr nën kontroll gomonen

Një ndërhyrje e shpejtë e Policisë Kufitare në Himarë ka shmangur një ngjarje që mund të kishte përfunduar me pasoja të rënda në det.

Pas marrjes së njoftimit për një gomone që lëvizte në mënyrë të pakontrolluar dhe me shpejtësi, pa asnjë person në bord, shërbimet e Policisë Kufitare u nisën menjëherë drejt zonës së Kepit të Rigonit, përballë plazhit të Llamanit.

Nga verifikimet rezultoi se drejtuesi i gomones, shtetasi E. M., 35 vjeç, banues në Orikum, kishte rënë në det gjatë lundrimit. Ai arriti të dilte në breg në gjirin e Llamanit, por kishte pësuar dëmtime në këmbë. Menjëherë u transportua në spital për ndihmë mjekësore dhe mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, gomonia pa drejtues përbënte rrezik serioz për mjetet e tjera lundruese dhe pushuesit në zonë. Falë ndërhyrjes së Njësisë Policore Detare dhe Policisë Kufitare, një efektiv arriti të hipte në bordin e saj dhe ta ndalonte në kohë.

Pas neutralizimit të rrezikut, mjeti lundrues u shoqërua në Pikën e Kalimit Kufitar Himarë për verifikime të mëtejshme.

Policia Kufitare apelon që qytetarët dhe turistët të telefonojnë në numrin 112 për çdo emergjencë apo situatë që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›