Ra në krye të detyrës, ky është efektivi Enea Mekolli që humbi jetën gjatë operacionit në Maliq.

Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë e ndodhur këtë të enjte në zonën e Lozhanit, në bashkinë e Maliqit, ku një efektiv i Policisë së Shtetit humbi jetën gjatë një operacioni për kapjen e një personi të shpallur në kërkim.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se efektivi që mbeti i vrarë është Enea Mekolli, pjesë e forcave “Shqiponja”. Ndërkohë, i plagosur ka mbetur edhe efektivi tjetër i policisë, Edison Adri, i cili është transportuar për të marrë ndihmë mjekësore të specializuar.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur gjatë një operacioni për arrestimin e shtetasit Violand Bracellari, i shpallur në kërkim nga autoritetet. Gjatë ndërhyrjes së policisë, Bracellari dyshohet se ka hapur zjarr ndaj efektivëve, duke shkaktuar vdekjen e Enea Mekollit dhe plagosjen e kolegut të tij.
Raportohet se edhe vetë autori i dyshuar ka mbetur i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit dhe është vënë në prangat e policisë.
Në zonë ndodhen forca të shumta policore dhe grupet hetimore, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Policia pritet të dalë me një njoftim zyrtar për të sqaruar dinamikën e plotë të incidentit që i mori jetën një efektivi të Policisë së Shtetit në krye të detyrës.