E Diel, 1 Nëntor 2026

E rëndë në Maliq! Vritet polici i Shqiponjave gjatë përballjes me një të kërkuar

Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e sotme zonën e Lozhanit në bashkinë e Maliqit, ku gjatë një operacioni policor ka mbetur i vrarë një efektiv i Policisë së Shtetit dhe është plagosur një tjetër.

Sipas informacioneve paraprake, forcat e policisë kishin shkuar për të arrestuar një person të shpallur në kërkim, kur ky i fundit dyshohet se ka hapur zjarr ndaj efektivëve.

Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën efektivi i forcave “Shqiponja”, Enea Mekolli, ndërsa është plagosur kolegu i tij, Edison Adri. Ky i fundit fillimisht mori ndihmën mjekësore në spitalin e Korçës dhe më pas u transportua drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se autori i dyshuar është shtetasi Violand Bracellari, një ish-ushtarak i shpallur në kërkim nga Policia e Vlorës. Gjatë shkëmbimit të zjarrit ai ka mbetur gjithashtu i plagosur dhe është vënë në prangat e policisë.

Ngjarja ka ndodhur gjatë një operacioni të forcave speciale të policisë, ndërsa në zonë janë angazhuar dhjetëra efektivë dhe grupet hetimore për të zbardhur rrethanat e plota të incidentit.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende një version zyrtar të plotë mbi dinamikën e ngjarjes, ndërsa hetimet vijojnë.

Tempull do t’ju mbajë të informuar me çdo zhvillim të ri.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›