E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: 170 evente këtë gusht me aplikacionin TEA

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Aplikacioni TEA (Tourism Events of Albania) këtë sezon veror ofron një përvojë të përmirësuar dhe më gjithëpërfshirëse për të gjithë ata që dëshirojnë të eksplorojnë bukuritë natyrore dhe kulturore të vendit.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se në këtë aplikacion turistët e shumtë vendas dhe të huaj, që po vizitojnë vendin tonë, mund të gjejnë 170 evente këtë gusht.

Mes këtyre eventeve përfshihen koncerte, festa, tradita dhe më shumë. Rama ftoi të gjithë të interesuarit ta instalojnë këtë aplikacion, për të mos humbur asnjë nga aktivitetet turistike që zhvillohen në vend.

“170 Evente këtë gusht. Koncerte, festa, tradita dhe më shumë – të gjitha në TEA. Shkarko tani dhe zgjidh ku do të jesh këtë verë  tourismeventsofalbania.com”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Aplikacioni TEA, i vetmi udhërrëfyes digjital i Shqipërisë turistike është një shembull i shkëlqyer sesi teknologjia mund të përdoret për të përmirësuar dhe modernizuar përvojën turistike, duke ofruar informacion të shpejtë, të saktë dhe të përshtatur për turistët.

Që nga prezantimi i tij, ky aplikacion u ka mundësuar turistëve të kenë një përvojë më të pasur dhe të lehtë në eksplorimin e destinacioneve turistike të vendit. Me TEA, turistët navigojnë nëpër destinacione të ndryshme turistike të Shqipërisë. Ata njihen me monumentet historike, aktivitetet kulturore dhe artistike, por edhe informacion mbi shërbimet utilitare në nevojë të turistëve, si: hotele, bare e restorante, kontakte, etj.

TEA e sjell informacionin të organizuar në një format të thjeshtë, duke u mundësuar udhëtarëve të planifikojnë lehtësisht itinerarin e tyre të pushimeve.

Ky aplikacion është i disponueshëm falas në Apple Store dhe në Play Store dhe është projekt i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe i Agjencisë Kombëtare të Turizmit.

/gj.m/r.e//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›