E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: AKSHI ndihmë për integrimin në BE, në shkurt e-Albania 2.0

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët, se Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka një rol kyç në përshpejtimin e integrimit europian të Shqipërisë dhe në modernizimin e shërbimeve publike përmes digjitalizmit.

Sipas tij, 620 miliardë lekë, që janë 620 milionë euro, ka kursyer AKSHI për shqiptarët falë digjitalizimit. “Këtë s’e them unë, ky është studim ndërkombëtar. 7600 vite pritje në radhë, që janë 25 mijë rrotullime rreth Tokës. Parafytyroni një radhë me shqiptarë që i shkon Tokës 25 mijë herë rrotull. Këto ka bërë AKSHI”, u shpreh ai.

Janë 33 milionë euro kursime për shqiptarët jashtë vendit, të llogaritura jo nga ne, por nga raport ndërkombëtar. Janë 74 milionë fletë letre të kursyera. Falë AKSHI-t, 3,4 milionë shqiptarë janë përdorues të rregullt të platformës e-Albania.

“Vetëm në 2025 janë 17 milionë shërbime të ofruara, janë 12 milionë dokumente elektronike të gjeneruara, mesatarisht 1,25 milionë shërbime në muaj, njerëz që klikojnë dhe marrin shërbim pa takuar njeri, aty ku dikur jepnin lekë për të marrë një certifikatë. Janë 92 106 pagesa elektronike, 77 424 dokumente nga komanda zanore me Diellën. “Kështu që çfarë duhet të them unë. Jemi vendi që një nga arsyet që po ecim kaq shpejt me BE është AKSHI, sepse kemi ndërtuar me Diellën një sistem transferimi të legjislacionit europian në legjislacionin shqiptar me përkthim, adoptim që bën në një kohë të shkurtër atë që Kroacisë iu deshën 7 vite”, tha Rama.

Ai shtoi se është bërë rishikimi i legjislacionit shqiptar për të parë mbivendosjet që torturojnë njerëzit dhe këtë e bën AKSHI. “Pse rriten të ardhurat pa rritur taksat? Sepse rritet ekonomia, sepse po të mos rritej ekonomia nuk do të rriteshin të ardhurat, por edhe miradministrimi, dhe kush ndihmon këtu, është AKSHI”, u shpreh Kryeministri.

Rama theksoi se AKSHI ka një skuadër që merret me Inteligjencën Artificiale, të cilën e cilësoi si gjeniale, duke nënvizuar rolin e saj kundër evazionit dhe për rritjen e transparencës së transaksioneve, duke shtuar se kjo është vetëm fillimi.

Në vijim, ai tha se skuadra e AKSHI-t ka fituar një sërë garash brenda NATO-s dhe BE-së, që bëjnë gara me institucionet e infrastrukturës digjitale dhe simulojnë sulme kibernetike.

Sipas Ramës, Banka Botërore e renditi Shqipërinë në vendin e 14-të nga 197 vende për maturitetin e qeverisjes digjitale, duke kaluar nga vendi i 68-të në vitin 2022, falë AKSHI-t.

“Nëse OECD bashkë me SIGMA thonë që Shqipëria është lider rajonal në Ballkan, kjo është falë AKSHI-t. Nëse BE-ja e konsideron me progres të fortë administratën dhe shërbimet publike, kjo është AKSHI”, u shpreh Rama.

Ai paralajmëroi se shumë shpejt do të dalë e-Albania 2.0, falë AKSHI-t, dhe do të ketë shumë gjëra të reja në atë sistem për shqiptarët. /j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›