E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Shqipëria, vendi i parë në rajon për prokurimet publike

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria është vendi i parë në rajon për prokurimet publike.

Kryeministri theksoi po ashtu se Komisioni i Prokurimit Publik ka marrë vlerësime ndërkombëtare nga më të ndryshmet.

“Kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik është personalitet ndërkombëtar në fushën e prokurimeve publike. I ngrihet akuzë një javë përpara se sa të hynte në garë për t’u rizgjedhur. Ndërkohë që po të shikosh shifrat e punës së Komisionit dhe të Agjencisë së Prokurimit Publik që e drejton negociatorja tjetër janë dy institucione të vlerësuar ndërkombëtarisht shumë për gjithë transformimet që kanë ndodhur”, tha Rama.

Sipas Kryeministrit, skuadrat e prokurimeve publike të rajonit vijnë në Shqipëri për të parë këto dy agjenci.

“I ngrihet akuzë dhe u pengua fatkeqësisht të hynte në garë për t’u rizgjedhur. Një aset që ka mbaruar shkollën me Medalje Ari. Nuk i hyj komenteve por që të gjykosh tenderat nuk është kaq e thjesht se nuk do të kishte nevojë për ekspertë e komisione. Mund t’i bënin deputetët, të merrej një injorant nga Kuvendi dhe t’i thuhej zgjidhe ti këtë punë. Ato janë aq komplekse, sa që unë nuk hyj ndonjëherë të kuptoj më shumë, se çdo procedurë ka të vetën”, tha Rama.

I pyetur mbi publikimin e pjesëve nga dosja hetimore e zv.kryeministres Belinda Balluku, ku thuhet se kryeministri i ka kërkuar të takojë sipërmarrësin Ramë Geci apo për takimin me sipërmarrësit turq, fitues të projektit për tunelin e Llogorasë, kryeministri Rama u shpreh detyra e tij është të flasë me sipërmarrësit.

“Takimet që bëhen të regjistrohen, shënohen që u takua edhe tema për të cilën është biseduar. Kam takuar dhe do të takoj kë të më dojë e bardha zemër dhe kë të më dojë e mira mendje. Njeriu nuk mund kurrë të fajësohet apo dyshohet për kë takon. Telefoni im është i hapur 24 orë në 24, siç e kanë të gjithë ata që krijojnë punë në Republikën e Shqipërisë. Jam këtu për të mbështetur, ndihmuar dhe nxitur të gjithë, jo për t’i dhënë tendera, por për t’i mbështetur. Kam takuar shumë kompani turke dhe i takoj të gjitha kompanitë”, shtoi Rama. /j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›