Rama: Arsimi profesional, zgjedhja e duhur

Tiranë, 14 korrik /ATSH/ Regjistrimet për klasën e 10 për arsimin profesional janë hapur dhe do të zgjasin deri në fund të muajit shtator.
Procesi kryhet përmes e-Albania ku çdo prind mund të aplikojë online dhe më pas merr përgjigjen nga shkolla.
Kryeministri Edi Rama ftoi sot të rinjtë të zgjedhin arsimin profesional dhe të regjistrohen në klasën e 10-të përmes portalit e-Albania, duke e cillësuar atë si zgjedhjen e duhur.
“Regjistrimet në Arsimin Profesional janë hapur. Bëj zgjedhjen e duhur. Regjistrohu përmes e-Albania në shërbimin “Regjistrim në klasë të dhjetë””, informoi Rama.
Arsimi i mesëm profesional u ofron nxënësve mundësi kualifikimi dy, tre dhe katërvjeçare, dhe i përgatit ata për profesione specifike, nëpërmjet zhvillimit të aftësive praktike dhe njohurive të aplikueshme.
Sistemi publik i arsimit dhe formimit profesional përfshin 41 institucione, nga të cilat 31 janë shkolla profesionale dhe 10 janë qendra formimi. Këto institucione ofrojnë kualifikime profesionale të nivelit të mesëm, përfshirë edhe programe të arsimit profesional në formën e dyfishtë, kualifikime pas të mesme dhe programe formimi afatshkurtra, të përshtatura për të gjitha grupmoshat. /j.p/