E Martë, 3 Nëntor 2026

KIEV – Zelensky propozon Yulia Svyrydenko në postin e kryeministres

KIEV, 14 korrik /ATSH-ANSA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka propozuar që ministrja aktuale e Ekonomisë, Yulia Svyrydenko të udhëheqë qeverinë ukrainase për të rinovuar degën ekzekutive, sipas asaj që lideri ukrainas shkroi në Telegram.

“Po fillojmë një transformim të degës ekzekutive në Ukrainë. Kam propozuar që Yulia Svyrydenko të udhëheqë qeverinë ukrainase dhe të përditësojë ndjeshëm punën e saj”, shkroi Zelensky.
“Pres me padurim të paraqes programin e veprimit të qeverisë së re në të ardhmen e afërt”, shtoi ai.

Ditët e fundit, Zelensky njoftoi riorganizimin e kabinetit dhe duket se ministri i Mbrojtjes, Umerov do të bëhet ambasadori i ardhshëm ukrainas në Shtetet e Bashkuara.

“Me Svyrydenkon ndajmë një raport mbi zbatimin e marrëveshjeve me partnerët evropianë dhe amerikanë në mbështetje të Ukrainës, të arritura në konferencën e fundit mbi rindërtimin e Ukrainës. Ne duhet të zbatojmë sa më shpejt të jetë e mundur gjithçka që mund të mbështesë stabilitetin e shtetit dhe shoqërisë sonë”, theksoi presidenti ukrainas./ /Ad.Ab/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›