Rama: Avioni për udhëtimet zyrtare nuk i shton asgjë shpenzimeve mesatare vjetore të zyrës së Kryeministrit

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama informoi sot gjatë një bashkëbisedimi të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale se për udhëtimet me avion nuk është paguar asgjë më shumë se ç’është paguar mesatarisht çdo vit nga zyra e Kryeministrit për udhëtime zyrtare, për asnjë lloj avioni.
Rama iu përgjigj një komentuesi që i lidhi udhëtimet zyrtare, me mungesën e avionëve për shuarjen e zjarreve.
“Mirë është që t’i verifikoni zjarret mediatike ku nganjëherë disa prej jush hidhen me kokë dhe fatkeqësisht iu digjet qarku i arsyetimit”, komentoi Rama.
Më tej, Kryeministri shtoi se “po të kishim vetë avionët tanë do ishte më mirë, por kush i bën llogaritë duhet t’i rikthehet pak llogarive për të kuptuar se avionët nuk janë një fjalë goje. Ka edhe diçka tjetër, disa pa mendje apo nga dëshira për ta besuar kanë ngrënë edhe broçkullën e madhe që unë, qeveria, paskemi blerë avionë për vete”.
“Nuk ka asnjë avion të blerë për vete. Avioni i shumëpërfolur i përdorur nga unë vetëm për udhëtimet zyrtare, sepse në çdo udhëtim tjetër privat unë marr avionët e linjës dhe jam rregullisht bashkë me familjen në ekonomik, gjithmonë. Këtë e dëshmojnë të gjitha biletat e deklaruara dhe janë të verifikueshme. Avioni i përdorur për udhëtimet zyrtare nuk i ka kushtuar dhe nuk i kushton shtetit shqiptar më shumë sesa shumatorja e shpenzimeve mesatare të kryera çdo vit nga Kryeministri i Shqipërisë, përfshirë edhe paraardhësin tim”, tha Rama.
/k.s/j.p/r.e/