E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Ballkani Perëndimor, horizont i ri energjie dhe imagjinate për BE-në

TIRANË, 13 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama iu drejtua sot me një fjalë Forumit të parë të Investimeve “Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor”, që po zhvillon punimet në Tiranë.

Kryeministri shprehu gatishmërinë që ky forum të kthehet në një mbledhje e përvitshme, me një program gjithnjë e më ambicioz.

Në fillim të fjalës së tij, Rama u ndal tek ecuria e procesit të integrimit europian, ndërsa kujtoi pritjen e gjatë deri në çeljen e negociatave.

“Për një kohë mjaft të gjatë historia e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor është shkruar me dramatikën e pritjes. Pritja për BE u bë thuajse një sinonim i pritjes për Godonë. Megjithatë ne kurrë nuk ndalëm së ëndërruari momentin kur historia do të ndryshonte dhe kurrë nuk reshtëm së punuari, në mënyrë që kur ky moment të vinte të na gjente gati, të përgatitur dhe përpara afatit. Dhe shkoi pikërisht kështu. Kur momenti erdhi ishim gati për nisjen së bashku me Komisionin Europian të procesit të negociatave”, u shpreh Rama, ndërsa theksoi se “ky proces nuk mund të ishte më intensiv dhe as më çlirues nga fantazmat e së shkuarës”.

Ndërkohë, Rama tha se aktualisht po përvijohet me një hartë të re jo në letër, por në hapin tonë të ardhjes më pranë BE-së me fluksin e turistëve dhe investimeve europiane.

Sipas Kryeministrit, “Ballkani Perëndimor nuk është oborri i pasmë i Europës, lagjja e saj e dorës së dytë, por është horizonti i ri”.

“Një horizont jo prej muresh dhe kufijsh, por horizont energjie dhe imagjinate, ku Europa mund të rizbulojë shkathtësinë e saj, oreksin, urinë e saj, nxitjen krijuese dhe mbi të gjitha dashurinë për jetën, paqen dhe të bërit bashkë”, shtoi Rama.

“Sa më shumë i hedhim sytë nga bota rreth nesh ku loja e madhe e ekonomisë lëviz me shpejtësi, ku zinxhirët e furnizimit lidhen dhe ku teknologjia formësojnë jetën orë pas ore dhe ku tranzicioni i gjelbër kërkon jo vetëm rregulla por kurajo, aq më shumë ndiejmë si kurrë më parë nevojën prë më shumë Europë”, u shpreh Rama.

Rama theksoi se pikërisht këtu, në zemër të këtij gadishulli, dikur i etiketuar si “Fuçia e barutit” e Europës, gjendet një rajon me rritje dy herë më të shpejtë sesa mesatarja europiane, që ka një nivel të ulët borxhi, dhe çfarë është më e rëndësishme me një energji sipërmarrëse që nuk i trembet të nesërmes.

“Kjo nuk është rastësi, është një horizont i ri. Horizonti i ri për mua do të thotë një vend ku investimet europiane gjejnë një ritëm shpejtësie të ri, ku novacioni nuk e gjen veten të zhytur nën pirgje letrash e ku rezistenca nuk është slogan, por një nevojë e përditshme që përmbushet nga përkushtimi i pakushtëzuar. Një vend ku projektet përshkruhen nga ideja për realizimin më shpejt se kudo tjetër në kontinent, ku rregullat nuk janë një labirint, por një shkallë ku sektori privat e qeveritë lëvizin jo në vijë paralele, por pikëtakohen si partnerë në një të ardhme të përbashkët”, tha Rama.

Horizonti i ri, sipas Kryeministrit, “është një vend ku BE dhe rajoni i saj takohen jo vetëm për të folur për të ardhmen, por për ta bërë të ardhmen realitet”.

1 nga 7

/r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›