E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha, përralla për rritjen ekonomike

Tiranë- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka akuzuar sot qeverinë dhe kreun e saj, Sali Berisha për situatën e krijuar në tregun shqiptar, ku përditë rriten çmimet dhe përditë qeveria thotë gënjeshtrat e radhës për bumin e zhvillimit.

Sipas Ramës, kryeministri provokon çdo shqiptare e shqiptar, që në tregun e ushqimeve duhet të paguajë çdo ditë e më shumë për shkak të papërgjegjshmërisë së shtetit në raport me fshatin dhe që në xhep ka çdo ditë e më pak për shkak të paaftësisë së një kryeministri, i cili bumin e përrallave të tij të përditshme na tregon se ka filluar të rrëshqasë në drejtim të paditur.

“Dje, Kryeministri i Shqipërisë pati guximin të flasë për “bum ekonomik”, ndërkohë që ekonomia e familjeve shqiptare është në krizë, papunësia në rritje dhe fuqia blerëse në rënie, kostoja e jetesës gjithnjë e më e shtrenjtë dhe qeverisja e vendit përditë e më e papërgjegjshme dhe e paaftë në raport me hallet e njerëzve”- tha Rama.

Ai ka kujtuar se kultuvuesit e mistrit dhe foragjereve në Shkodër, Myzeqe, Korçë dhe luginën e Elbasanit, si edhe prodhuesit e agrumeve në Sarandë e Vlorë po rrënohen përditë.

Rama ka vënë përballë lëvdatat e Berishës me situatën reale të fermerëve të Korçës, Devollit e Dibrës dhe perime-rritësit e Divjakës, Krutjes, Tërbufit, Hysgjokajt të Lushnjës, Velipojës së Shkodrës, Kozares së Kuçovës, Poshnjës e Goriçanit të Beratit dhe kudo ku njerëzit punojnë dhe përpiqen në mënyrë të ndershme të mbajnë familjen dhe të bëjnë bujqësi në këtë vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›