Rama: Buf për herë të tretë Shqipëria nuk merr më në krah

TIRANË, 23 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se “buf për herë të tretë Shqipëria as nuk merr më në krah dhe as nuk ka për ta konsideruar më”.
Gjatë fjalës së tij në takimin elektoral me qytetarët e Skraparit, Rama u ndal edhe tek opozita.
“Si mund të vihen këto në diskutim se nuk të pëlqen PS apo Edi Rama. Nuk të detyron njeri të pëlqesh Edi Ramën, ti mund të pëlqesh Ilir Vrenozin, që është lider i vërtetë. Kur thosha unë ai është njëshi i PD, ju talleshit. Fjalët e tij në sallë në Korçë janë programi i vërtetë i PD-së”, tha Rama.
Sipas tij, “këneta” e ka shumë thellë kompleksin e inferioritetit prandaj bën ashtu.
“Të diskutosh midis Partisë Socialiste dhe numrit 5 dhe Ilir Vrenozit është njësoj si të diskutoje në mars të ‘92 mes PD dhe Hysni Milloshit, është e njëjta gjë. Pse populli votoi PD në ‘92 masivisht? Nuk ishin me PD shumica dhe kjo është kaq e vërtetë sa 6 muaj më mbrapa kur u bënë zgjedhjet lokale shumica e rrëzoi PD-në. Kur u bë refrendumi i ‘94-s e sakatoi fare “bufin e kënetës”, por ama në mars i dha mbështetje, sepse ishte koha e duhur dhe vendi i duhur për ta mbyllur njëherë e mirë kapitullin e gjatë të një historie me një sistem tjetër dhe për të përqafuar rrugën e Europës”, nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “njësoj është edhe 11 maji, është koha e duhur, vendi i duhur dhe ka vetëm një forcë të duhur në vendin e kohën e duhur ku ta investosh votën pa e çuar dëm, pa e hedhur në kënetë, ta investosh votën për fëmijët e tu, ta investosh votën në qoftë se je një bujk, se edhe këtu ka demokratë në Skrapar, ka ca vazhdojnë me atë të tyren. Të jesh bujk në Skrapar e të kesh mundësinë të votosh për ta sjellë BE-në këtu, e di çfarë do të thotë? Që Shqipërisë ti vijnë 300 milionë euro në vit vetëm për bujqësinë”.
“Si mund të thuash se dua “kënetën”, domethënë të jetosh buzë kanioneve e të ëndërrosh “kënetën”, kjo s’është normale.
Të jetosh me shqiponjat e të kërkosh bufin, nuk është normale. Nuk i shkon kjo skraparllinjve. Secili do bëjë zgjedhjen e vet jam i sigurt që në fund të ditës shumëkush do të reflektojë është shumë e qartë tani. Alternativë e BE-së është “këneta”, është “bufi” dhe e ardhmja e “kënetës” është Ilri Vrenozi. Dje e patë kush e mori pushtetin në opozitë? Ilir Vrenozi. E patë se si “bufi” dukej i mbaruar dhe larguar? De facto është larguar, de jure mbas 11 majit do shikoni kur Ilir Vrenozi të sulmojë Tiranën që të marrë pushtetin e “kënetës””, tha Rama.
/k.s//a.f//r.e/