E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Familja është në epiqendër të përpjekjes sonë

TIRANË, 23 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha prezantoi sot kandidatët për deputetë të aleancës PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore për qarkun e Tiranës në një takim në zonën e Vorës dhe të Kasharit.

Berisha tha në nisje të fjalës së tij, se ky koalicion vjen me një program, me një projekt, me të cilin kërkon të krijojë një mundësi të re për çdo qytetar.

“Ne jemi parti e traditave më të mira. Partitë konservatore nuk janë parti ideologjike, ato janë parti të vlerave themelore të njeriut dhe të shoqërisë njerëzore. Pra, jemi parti e vlerave themelore te shqiptarit dhe të Shqipërisë. Në këtë kontekst, në shoqërinë tonë për kombin tonë, sikundër në çdo komb të qytetëruar, themeli i të gjitha themeleve është familja. Ndaj dhe ne, vijmë para jush me një projekt, me të cilin zotohemi se, familja shqiptare, familja në Vorë, Kashar, Domje, Bërxullë, Prezë, Marikaj, Gjikaj, Balaq, kudo, do të jetë në epiqendër të përpjekjes sonë për ta mbështetur atë”, tha Berisha.

Sipas Berishës, “një komb i fortë, mund të jetë një komb që ka familje të fortë. Familja është e fortë kur ka moralin e fortë, kur ka mirëqenien”.

“Natyrisht, unë nuk jam këtu gjykatës, as polic morali, por disa vlera janë të përbashkëta për çdo shqiptar dhe unë kam besim se respekti reciprok i burrit ndaj gruas, dhe i gruas ndaj burrit, dashuria midis anëtarëve të familjes për njëri-tjetrin janë morali më i lartë i njeriut dhe i shoqërisë.

Kam besim të madh se, asnjë grua, asnjë nënë, asnjë motër, cilado qoftë, nuk do donte dhe nuk do të pranonte t’i shahet djali, bashkëshorti, prindi”, vijoi ai.

Kreu i PD-së, tha se forcat e tjera kundërshtare synojnë që me fushatën e tyre politike të zhvlerësojnë familjen dhe vlerat e saj dhe të spostojë vëmendjen nga problemet e vërteta të familjes shqiptare. “Nga problemet që, familjet shqiptare presin të zgjidhen nga forcat politike, presin nga këto forca të paraqesin para tyre projektin çfarë do të bëjnë ato për konsolidimin e familjes. Familja shqiptare nuk ka nevojë të dëgjojë se, burri qenka kështu, apo qenka ashtu. Ajo ka nevojë të madhe shumë të mbështetet ekonomikisht, që pensionistin që ka në varësi, të mos ta ketë barrë. Po ai, të marrë 200 euro minimumi, dhe me ato 200 euro të përballojë më normalisht jetën e tij”, theksoi Berisha.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›