Rama: Christopher Hill, ambasadori më i ditur amerikan për Ballkanin

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot kontributin e diplomatit amerikan Christopher Hill, të cilin e cilësoi “ambasadorin më të ditur amerikan për Ballkanin, përveçse më i dalluari në dëgjimin e ballkanasve”.
Gjatë prezantimit të librit “Në shërbim larg vendit”, Rama vlerësoi figurën e Hill, i cili sipas tij, “është ndoshta i vetmi diplomat amerikan që ka shërbyer si ambasador në këtë rajon që nuk e kupton Ballkanin nga distanca, por e kupton atë nga brenda”.
“Sepse ai e ka jetuar Ballkanin në të gjitha këndet e tij. Praktikisht e ka përshkuar të gjithë hartën e tij dhe çuditshëm kurrë nuk ka shfaqur ndonjë tundim për të folur me zë të lartë e për t’u bërë ndikues, për t’u shfaqur në foto nga majat e maleve në brigjet e deteve të këtij rajoni”, tha Rama.
Kryeministri kujtoi se kur dëgjoi për herë të parë për Chris Hill, ishte kur i thanë se kishte çuar Fatos Nanon në burg.
“Ishte një mënyrë shumë mbresëlënëse për të lënë pas emrin, pasi sapo kishe hyrë në Shqipëri dhe nuk ishe angazhuar në asnjë reformë e transformim, por thjesht kishe çuar në burg dikë e ishe larguar”, u shpreh Rama.
Por sipas tij, “ka qenë gjithmonë i pranishëm si një mjeshtër pëshpëritës”.
“Nuk di çfarë u ka pëshpëritur kryeministrave dhe presidentëve të vendeve ku ka shkuar, por ajo çfarë di me siguri është që kur e kam takuar për herë të parë më la shumë mbresë. Së pari, nuk më dukej si një burgosës i njerëzve opozitarë dhe së dyti, më la mbresë mënyra me të cilën dëgjonte. Nuk është virtyt ky i ambasadorëve amerikanë. Janë shumë të mirë për të folur dhe për të dhënë leksione, por nuk shquhen fort për të dëgjuar”, u shpreh Rama.
Rama citoi Arbën Xhaferrin kur tha se “popujt e Ballkanit vuajnë nga një strabizëm etno- politik që i bën ta shohin njëri-tjetrin në mënyrë të shtrembër”.
“Pyes gjithmonë veten si mund ta bëjë dikush punën e të qenit personi më i rëndësishëm në vend, sepse nuk ka asnjë dyshim që personi më i rëndësishëm në këtë vend ka qenë gjithmonë ambasadori amerikan. Të jesh ambasador amerikan në Shqipëri është puna e dytë më e mirë e dikujt që është amerikan, pas të qenit president, sepse këtu je perëndi”, tha Rama.
Dhe sipas tij, “përgjigjja qëndron te personaliteti dhe te mënyra se si Chris e bën këtë punë me shumë distancë dhe me mjaft kujdes kur dëgjon dhe me shumë zë të ulët”.
Duke folur për rajonin, Rama tha se “Ballkani ende prodhon më shumë histori sesa mund të konsumohet”.
“Fatmirësisht, jo kaq shumë së bashku, por sigurisht në po të njëjtën mënyrë në vendet tona më vete. Fatmirësisht, duke mos prodhuar kaq shumë së bashku jemi më pak të prirur ditët e sotme për të pasur konflikte, dhe kjo është një arritje e jashtëzakonshme, por ende pa ndalur së prodhuari shumë brenda vendit tona nuk jemi mjaft të prirur për të bërë atë kapërcimin e pjekurisë”, u shpreh Rama.
Në përfundim, kryeministri vlerësoi kontributin e diplomatit amerikan në cilindo nga vendet ku ka qenë. “Jam i sigurt që të gjithë ata që kanë pasur shansin të punojnë me ty nuk do të mund të të harrojë kurrë, vetëm për arsye të mira nuk e di, por është e sigurt që ke lënë shenjën te gjithkush që ka pasur privilegjin të takoj dhe ka pasur nderin të luftojë apo të përballet me ty”, tha ai.
1 nga 6/a.f/r.e/