Rama: Çlirim i hapësirave të zaptuara brenda lagjeve, muze për artin islamik në Tiranë

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri me dije sot, se po punohet me bashkinë e Tiranës për ndërtimin e një plani pastrimi brenda të gjitha lagjeve të kryeqytetit, me qëllim pastrimin e hapësirave publike nga çdo lloj zaptimi.
Sipas kreut të qeverisë, është e patolerueshme që dikush vendos trarë apo jep dhe merr bileta parkimi për makinat në një hapësirë publike, vetëm sepse ka aty një pronë.
“Nuk mund ta përdorësh pronën si të duash duke u vënë traun qytetarëve që jetojnë në atë bllok banimi”, tha Rama.
Një tjetër qytetare i shkruan Kryeministrit në platformat sociale, se “kryeqyteti ka nevojë për parqe dhe jo për kulla futuriste, nuk ka kinema, teatër, cirk, parkime, vetëm beton, katrahurë dhe trafik”.
Rama tha se Tirana ka kinema dhe nuk ka një, por disa kinema.
“Informohu, i gjen kollaj dhe shko shiko filma nëse ke dëshirë të shkosh. Tirana ka teatër! Informohu dhe ke shfaqje teatrale që mund të shkosh t’i ndjekësh, ndërkohë që po ndërtohet edhe Teatri i ri Kombëtar në Tiranë, aty ku ishte karakatina e vjetër e teatrit pseudokombëtar”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se Tirana ka muze, ndërkohë që është duke u ndërtuar edhe Galeria Kombëtare dhe duke u bërë shtesa e domosdoshme për galerinë që do të jetë tërësisht e transformuar.
“Po rindërtojmë Muzeun Kombëtar që do të jetë tërësisht i transformuar. Jemi duke punuar së bashku me bashkinë e Tiranës për një muze tjetër për etnografinë dhe artin islamik. Jemi duke punuar për muzeun Besa, po në Tiranë. Kështu që më duket se Tirana ka edhe muze, edhe do të ketë edhe më shumë. Është në kantier Qendra e re e Artit dhe Kulturës bashkëkohore në Petrelë. Jemi në diskutime për të marrë një muze të madh evropian këtu në Tiranë, pra Tirana ka muze, cirk nuk ka. Ka një cirk i cili ka nevojë të rikonceptohet”, vijoi Rama.
“Parkime ka dhe do të ketë! Jemi duke punuar që të ketë edhe më shumë. Tirana ka një seri parkimesh nëntokësore moderne që nuk i kishte më parë. Nuk e di pse ty të zë frymën Tirana, ndërkohë të gjithë atyre që vizitojnë Tiranën, Tirana u nxit fjalët më të mira”, cilësoi Kryeministri.
Sipas Ramës, “Tirana ka probleme, sepse është një kryeqytet që zhvillohet ditë për ditë”.
“Për sa i përket mini parqeve, është shumë e drejtë. Por, kur shikoni që ndërtohet në një minipark, kini parasysh që aty ka prona private, janë të drejtat e pronarëve. Ajo hapësira ka pronarë. Në ndërkohë jemi duke punuar me bashkinë e Tiranës për pastrimin e të gjitha hapësirave brenda lagjeve nga të gjitha llojet e zaptimeve, duke filluar nga një zaptim i patolerueshëm me trarë dhe me marrje dhe dhënie biletash për të parkuar makinën sepse dikush thotë që unë kam një pronë këtu. Nuk mund ta përdorësh pronën si të duash duke u vënë traun qytetarëve që jetojnë në atë bllok banimi”, cilësoi Rama.
Kryeministri Rama u ndal edhe te komenti i një qytetari që u shpreh se shqiptarët po largohen dhe po ikin nga vendi.
Rama tha se “jemi në një botë krejt tjetër nga ajo ku ishim, ku na kishim mbyllur në një bunker. Bota është gjithmonë e më e vogël, është liria e gjithsecilit të lëvizë dhe askujt nuk mund t’i themi që pse po lëviz tani dhe pse nuk pret që ta kesh këtu nesër atë që po kërkon”.
Kryeministri u shpreh se do të jetë sërish në diskutime me qytetarët në platformat sociale, për të komunikuar për të gjitha interesimet e natyrave të ndryshme të qytetarëve.
“Do të jemi përsëri këtu dhe kjo edhe për t’u thënë që atyre që më thoshin sa i ke sa për sy e faqe se është fushata se ti do zhdukesh sa të mbarojë fushata. Ja ku jemi! Vazhdojmë të qëndrojmë “sy m’ sy” për t’iu komunikuar gjërat që nuk jua komunikojnë kanalet dhe portalet që janë të zënë me probleme të tjera që atyre u pëlqejnë që t’i sjellin vërdallë gojë më gojë e vesh më vesh”, përfundoi Rama.
/a.f/