Rikonstruktohet rruga “Todi Dhamo” në Elbasan

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Në rrugën “Todi Dhamo” në Elbasan, një nga zonat më problematike dhe tërësisht informale të qytetit, e ndërtuar pas viteve ’90 kanë përfunduar punimet për rikonstruksionin e saj.
Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me deputeten e sapo zgjedhur të Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi, inspektuan sot përfundimin e punimeve.
Në këtë rrugë ishte ndërhyrë në kanalizimet e ujërave të zeza, ndërsa tashmë ka përfunduar edhe shtresimi i asfaltit duke i dhënë një tjetër pamje të gjithë bllokut të banimit.
Kryebashkiaku Llatja theksoi se ky investim ishte një kërkesë e hershme e banorëve të zonës, pasi përfshin rreth 250 banesa dhe përmirëson ndjeshëm cilësinë e jetesës.
“Pas përfundimit të kësaj rruge, do të vijojmë me ndërrimin e të gjithë linjave të ndriçimit në lagjet periferike, për t’i unifikuar dhe për të reduktuar konsumin e energjisë. Po ashtu, synojmë të rivitalizojmë të gjitha zonat e qytetit dhe periferisë”, tha Llatja.
Llatja u shpreh se “jemi përpjekur të jemi korrektë duke investuar njësoj si në fshat, ashtu edhe në qytet”.
Deputetja Bylykbashi vlerësoi përpjekjet e bashkisë Elbasan për të strukturuar infrastrukturën në të gjitha lagjet, duke theksuar se tashmë edhe kjo lagje ka përfituar nga investimet publike.
“Infrastruktura rrugore dhe kanalizimet janë jetike për përmirësimin e cilësisë së jetesës, por edhe për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik të zonave rurale përmes lehtësimit të transportit, tregtisë dhe bujqësisë”, tha Bylykbashi.
Këto investime po kryhen si rezultat i kërkesave të banorëve dhe të buxhetimit me pjesëmarrje, duke treguar një model të qeverisjes vendore të afërt me qytetarin.
1 nga 5/k.s/a.f/