Rama: Skemë e re për pensionet, do të pasurojë atë aktuale

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, deklaroi sot se Qeveria shqiptare po punon rreth një skeme të re për pensionet, që nuk e zëvendëson aktualen, por e pasuron atë.
Në vizitën në kompleksin industrial në Durrës, ku operojnë disa kompani të integruara në transport, riciklim dhe përpunim industrial, Rama tha se “kjo skemë do t’u japë mundësi atyre që duan të kursejnë më shumë për pensionin, të vendosin në një fond të veçantë një përqindje nga paga e tyre, të cilën shteti do ta shoqërojë me të njëjtën shumë”.
“Nëse dikush vendos të kursejë 1 euro çdo muaj nga paga për fondin e tij të pensionit, i cili më pas do t’i shtohet pensionit që do të marrë nga skema bazë, shteti do të kontribuojë gjithashtu me 1 euro. Kështu, shuma do të bëhet 2 euro. Ky mekanizëm do të jetë i kombinuar, shteti për punonjësit e sektorit publik dhe sektori privat për punonjësit e vet”, tha Rama.
Sipas Ramës, kjo do të bëjë që fondi i pensioneve të fillojë të marrë formë si një mekanizëm që garanton jo vetëm individët që investojnë në të, por edhe forcon lidhjen mes sektorit privat dhe punonjësve.
Kreu i Qeverisë nënvizoi se “në një kohë kur teknologjia po sjell transformime të mëdha dhe në disa aspekte po zëvendëson punën e njeriut, po rritet nevoja për burime njerëzore shumë të specializuara”.
“Në fund të ditës, është e qartë se robotët nuk mund të plotësojnë të gjitha nevojat e sipërmarrjes për kapital njerëzor. Çdo sipërmarrje sot është shumë e interesuar për punonjës të specializuar, apo për ata që janë të gatshëm të specializohen. Kjo nuk është më koha kur kompanitë kursejnë te pagat, por koha kur ato kanë nevojë për specialistët e duhur, në numrin që u nevojitet. Për shembull, një kompani si kjo ka aktualisht 15 specialistë të kualifikuar, ndërkohë që i duhen rreth 40”, pohoi Rama.
/e.i/a.f/r.e/