Rama: Demokracia po përballet me njeriun që mund të mos ketë ndërtuar kurrë asnjë gjë

TIRANË, 20 qershor /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke u ndalur te protestat për Zvërnecin, tha se kjo betejë po bëhet mostruoze për fëmijët tanë, pasi “kush shkon dhe kërkon një like dhe follower me zemërim, punon kundër fëmijëve të tij”.
Në fjalën e mbajtur gjatë mbledhjes me grupin parlamentar të PS-së, Rama tha se çdo epokë prodhon figurën e saj karakteristike.
“Unë nuk dua të bëj këtu asgjë, por veçse të përcjell diçka që kam mësuar: një klasë e re që nuk e bashkon puna, po vëmendja; nuk e bashkon fabrika, por ekrani i celularit. Nuk e bashkon prodhimi, e bashkon shija e konsumimit të vetes dhe jetës në ekran. Mbi të gjitha, e bashkon një iluzion shumë i madh: sa më shumë të dukesh, aq më shumë autoritet ke”, tha ai.
“Unë nuk kam besuar asnjëherë që demokracia është pronë e ekspertëve profesionistë apo politikanëve sepse ajo është realisht pronë e qytetarëve. Por, demokracia nuk ka thënë kurrë që çdo mendim ka të njëjtën peshë mbi çdo peshë”, vijoi Rama.
Kreu i Qeverisë, tha se në demokraci çdo qytetar ka të drejtën të flasë, por jo se çdo fjali ka të njëjtën vlerë.
Sipas tij, “liria e fjalës në demokracitë funksionale nuk e ka përmbysur kurrë, deri më sot, ligjin e pashkruar të gravitetit të dijes. Mbi bazën e dijes së akumuluar për një çështje apo një tjetër, vendimmarrësit kanë marrë vendime që nga populli e deri tek të zgjedhurit e tij”.
“Demokracia nuk e ka zëvendësuar me diçka tjetër as përvojën, as përgjegjësinë. Sot, për herë të parë në histori, demokracia po përballet me njeriun që mund të mos ketë ndërtuar kurrë asnjë gjë, mund të mos ketë asnjë shkollë, asnjë kompetencë për të folur për atë që merr përsipër të flasë, që nuk i ka thënë kush “mirëmëngjes, punë të mbarë” dhe nuk ka administruar kurrë asnjë zyrë me tre vetë”, tha Rama, ndërsa shtoi se ky tip zgjohet në mëngjes me bindjen se e kupton shtetin më mirë se kushdo, edhe pse mund të jetojë në një anë tjetër të globit.
“Sepse algoritmi i ka dhënë atij diçka që fitohej me vite pune: dukjen. Vendosjen e vetes në vëmendjen e të tjerëve. Dhe jo me hir, por me pahir. Jo duke bërë ndonjë propozim për atdheun, por duke thirrur “vdekje tradhtarëve të atdheut”. Në kohën tonë, kjo dukje ngatërrohet me autoritetin. Kjo është një tragjedi e vogël e qytetërimit tone”, cilësoi ai.
Rama pohoi se “autoriteti nuk është më ai që e shohin më shumë njerëz. Autoriteti është ai që mban më shumë përgjegjësi. Por algoritmi nuk njeh përgjegjësi, njeh vetëm vëmendje. Ai nuk pyet kush ka ndërtuar, por pyet kush e ndaloi gishtin mbi ekran kur ky budallallëk u shfaq. Pastaj ti nuk je më i pavarur, edhe pse kujton se je i pavarur”.
“Je i pavarur në raport me ata që kërcënon, por ti je thjesht një skllav i algoritmit që, duke të shtuar vëmendjen, të nxit që ti të bëhesh më kërcënues. Nuk ka pikë rëndësie nëse ajo që thuhet është e vërtetë, nëse ajo që shpërndahet është e dobishme, apo është e drejtë apo e padrejtë. Mjafton të jetë tronditëse, zemëruese, skandaloze. Prandaj jetojmë në një kohë kur britma udhëton shumë herë më shpejt se argumenti, ku shpifja udhëton më shpejt se përgënjeshtrimi”, tha ai.
Në këtë klimë, sipas Kryeministrit Rama ndodh edhe diçka tjetër: sa herë që krijohet një krizë, shpërthen një ekzaltim kolektiv.
Rama nënvizoi se të gjithë ndiejnë nevojën të bëhen pjesë e saj, jo se kanë lidhje me arsyen pse ekzaltimi shpërtheu, por për faktin se është krijuar një skenë për t’u dukur dhe për të mbledhur me babëzi like dhe followers.
“Sa herë e keni dëgjuar nga njerëz që kurrë në jetën e tyre nuk e kanë imagjinuar që të përzihen me politikë e protesta, por janë bërë parelinj me…kremra që të shfaqen atje sepse është trendy! Kanë frikë të mbeten jashtë valës, sepse në ekonominë e vëmendjes heshtja nuk shpërblehet. Shpërblehet vetëm pjesëmarrja dhe ai që ka kurajën të hyjë në garë”, pohoi Rama.
“Shpërblehet ai që ka videon më dramatike. Nuk ka rëndësi nëse protesta zhvillohet në një bregdet të Spanjës, mjafton që ti t’i vendosësh shenjën Tiranë, edhe pse Tirana nuk ka det dhe të vendosësh aty një turmë që diçka thotë në spanjisht, por me titra lexohet “vdekje Izraelit”, tha Rama.
/e.i/ /a.g/