E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Departamentet e bujqësisë qesharake, bashkitë të lidhin fermerët me bankat për linjën e financimit

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “departamentet e bujqësisë në bashki janë qesharake, komike, janë të krijuara për të bërë qoka. Nuk janë departamente njerëzish që merren me tokën dhe për të cilët ka respekt nga ana e njerëzve të fshatit. Duhet bërë një angazhim i madh, pasi tani kemi edhe instrumentin e linjës së financimit”.

Në fjalën e tij, në takimin e zhvilluar sot në Durrës me kryetarët e bashkive për performancën e pushtetit vendor në funksion të vizionit “Shqipëria 2030” në Bashkimin Evropian, Rama tha se “ende nuk po krijohen ndërmarrjet fitimprurëse të bashkive. Ka disa tentativa të para, por shumë minimale dhe shumë të pamjaftueshme. Ndërkohë që me reformën territoriale nuk kemi më bashki dhe komuna, pra bashki që merren me qytetin dhe komuna që merren me fshatin, por kemi bashki që merren me të dyja”.

Ende sot, vijoi Rama, mentaliteti dhe qasja është që puna e bashkisë është puna komunale në fshat.

“Pra rrugët, ujësjellësit, kanalizimet, hapja e kanaleve kulluese e vaditëse, pastrimi, ndriçimi, por jo jeta e fshatit, jo toka, jo prodhimi, jo grumbullimi, jo përpunimi, jo eksporti këto janë në dorë të atyre që punojnë tokën dhe të Ministrisë së Bujqësisë”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “nëse shkoni në Greqi, Itali dhe kudo tjetër në një vend të BE-së, por edhe përtej BE-së, do të shikoni që bashkitë janë pjesë e jetës së fshatit si sipërmarrëse. Bashkitë janë pjesë e strukturave të grumbullimit, përpunimit, e linjave të eksportit”.

“Sot kemi një instrument shumë më domethënës se industria që kemi pasur deri dje, ku patjetër bashkitë duhet të marrin përgjegjësi me pjesën e tyre, që është linja e kredisë së Bankës së Shqipërisë me 250 milionë euro, një kredi e butë ku bashkitë duhet të jenë forcë udhëheqëse”, tha Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se “bashkitë duhet t’i bëjnë bashkë fermerët dhe t’i thonë: hajde të bëhemi bashkë aksionarë për të bërë një linjë për përpunimin e ullirit dhe për të prodhuar vajin e ullirit, për domaten e për të bërë salcën e domates, e të gjitha të tjerat”.

“Duke qenë pjesë bashkitë, bëhet më e thjeshtë për bankat që të mbështesin fermerët për këto projekte me këtë linjë kredie të butë. Duke u bërë bashkitë pjesë e kësaj, edhe qeveria ka mundësi, nëpërmjet Ministrisë së Bujqësisë, të futet e të rrisë mbështetjen. Kush do t’i ndihmojë dhe do t’ua bëjë më të lehtë rrugën njerëzve që janë në fshat për të shkruar projektin, kërkesën për kredi, projektin që duhet për të marrë fonde nga AZHBR, për të pasur akses në fondet e tjera të BE-së?!”, nënvizoi Rama.

/k.s//a.f//r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›