Rama: Procesi i legalizimit duhet të mbyllet në 2028-n

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Kryeministri, Edi Rama tha se “legalizimet e pronave duhet të mbyllen brenda mandatit të katërt dhe brenda objektivit që kemi vënë, vitin 2028”.
Në takimin që zhvilloi sot me kryetarët e bashkive, për performancën lokale në funksion të vizionit “Shqipëria 2030” dhe rrugës së pandalshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, ku u diskutua bashkëpunimi me Pushtetin Vendor për lehtësimin e procesit të Legalizimeve, Rama theksoi se është shumë e rëndësishme që njerëzit të marrin përfundimisht legalizimet e pronave të tyre.“Fjala ‘proces’ duhet të mbarojë. Proces për barraka që pastaj kthehen në pronë dhe pastaj në pallate, nuk ka. Një gjë dua t’iu them këtyre që kanë restorante dhe lokale dhe hedhin dhe vickla. E kanë taksën zero nga shteti si biznes i vogël, edhe pse një pjesë e tyre bëjnë si biznes i vogël dhe nuk janë të tillë. Po këtë çështje do ta zgjidhi modeli i ri i Inteligjencës Artificiale që tani po testohet nga Tatimet. Të kesh taksën zero, të kesh TVSH-në zero dhe të hapesh dhe të marrësh trotuarin e parë dhe të dytë, se Lungomare ka dy trotuare, dhe të thuash që më pengojnë. Apo në Tiranë, të pushtosh territorin pas Muzeut Historik, apo te 21 Dhjetori, kjo është e papranueshme dhe nuk ka për të ndodhur. Dhe për më tepër të futet legalizimi në mes”, u shpreh Rama.
/a.f//r.e/