Kontrata e dorëzimit për aeroportin e Vlorës, mesin e vitit të ardhshëm

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se puna në aeroportin e Vlorës po vijon, pavarësisht arsyeve dhe dinamikave të shoqëruara me procesin e ndërtimit, duke theksuar se qeveria pret respektimin e plotë të kontratës së nënshkruar.
Në konferencën e fundvitit për mediet, Rama u shpreh se angazhimi fillestar për hapjen e aeroportit brenda këtij viti nuk u përmbush, por afati kontraktual mbetet i detyrueshëm.
“Për fat të keq ka pasur një konflikt brenda kompanisë, mes aksionerëve, që kanë arsyet dhe dinamikat e tyre. Ne e donim shumë që fjala të respektohej dhe aeroporti të hapej këtë vit. Kjo nuk ndodhi. Tani duhet të respektohet kontrata, e cila është deri në mesin e vitit të ardhshëm”, tha Kryeministri.
Institucionet e linjës po ndjekin nga afër ecurinë e punimeve, me synimin që aeroporti i Vlorës të përfundojë brenda afateve të parashikuara dhe të vihet në funksion si një nyjë e rëndësishme për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë së jugut të vendit.
Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se për aeroportin e Gjirokastrës janë përfunduar procedurat përgatitore dhe se shumë shpejt pritet të hapet gara për realizimin e këtij projekti.
Ndërtimi i infrastrukturës ajrore është pjesë e strategjisë për përmirësimin e lidhjeve të Shqipërisë me rajonin dhe Evropën, si dhe për nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe turistik në zona me potencial të lartë.
/e.xh/j.p/r.e/