Zgjidhet problematika me ujin në Vlorë pas ardhjes së pajisjeve nga Turqia

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, u shpreh sot gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët, se çështja e problematikës me ujin në Vlorë është zgjidhur.
Rama tha se më në fund problemi me ujin në Vlorë u zgjidh pas një defekti shumë të rëndë, i ardhur si rezultat i një investimi të bërë në vitet 2009-2010 me pajisje hidraulike jashtë standardeve, të cilat plasën.
“Kjo është e vërteta bruto pa dashur të them që problematika e ujësjellësit është thjesht kjo”, u shpreh Kryeministri.
“Falë punës së jashtëzakonshme të punëtorëve atje dhe qëndrimit ditë natë mbi kokë të kryetares së bashkisë Vlorë, prefektit dhe drejtorit të përgjithshëm të Ujësjellësit që shkoi në Vlorë edhe falë faktit që mundëm të marrim këto pajisje në Turqi defekti u riparua. Por, natyrisht që ujësjellësi në Vlorë dhe gjithë Shqipërinë është një sektor që është në reformim e sipër, që do kërkojë akoma investime, punë dhe durim”, tha Rama.
Kryeministri Rama theksoi se situata me ujësjellësin është gjetur më keq se me energjinë, por me ndryshimet e bëra, me sistemin e ri të krijuar gjithçka do të shkojë drejt përmirësimit brenda kësaj dekade.
“Brenda kësaj dekade, problemet tërësore të mëdha do jenë mbyllur”, tha Rama.
/e.i/j.p/r.e/